Transmetuar më 12-02-2016, 08:19

Emigranti Xhevahir Brasha dyshohet të jetë vrarë për hakmarrje. Një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Fllakë të Durrësit, burime nga policia e qytetit bregdetar bënë me dije se dy janë pistat kryesore ku janë përqendruar hetimet. Sipas bluve, babai i pesë fëmijëve mund të jetë qëlluar për vdekje për shkak të ndonjë konflikti të vjetër që ka pasur me shtetas shqiptarë gjatë kohës kur ka qenë në Angli ose për trafik të qenieve njerëzore.

“Nisur nga fakti që viktima rezulton pa precedentë penalë këtu në Shqipëri, dyshojmë se ai mund t’i ketë premtuar ndonjë personi apo disa personave për t’i dërguar në Angli si emigrantë ilegalë, ndërsa ai ose ata nuk kanë mundur të shkojnë në destinacion. Kemi të dhëna se Brasha merrej me falsifikimin e dokumenteve dhe ishte i implikuar në trafikimin e qenieve njerëzore drejt Anglisë.  Gjithashtu, dyshojmë se ai kishte probleme me drejtësinë, pasi mbante dy identitete (Xhevahir Brasha dhe Agim Caka)”, thanë burime pranë grupit hetimor.

Ndërkaq, po të njëjtat burime u shprehën se “nga informacionet që kemi marrë, rezulton se në vitin 2010, në Londër, 41-vjeçari dhe xhaxhai i tij janë konfliktuar me një person nga Hasi. Gjatë këtij konflikti, xhaxhai i viktimës i ka prerë veshin shqiptarit dhe se për këtë ngjarje, autoritetet londineze e kanë dënuar autorin me 4 vjet burg, dënim ky i kryer tashmë. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur 6 vjet më parë, Xhevahir Brasha është vënë nën hetim, por nuk është dënuar”.

Hetimet

Pas kryerjes së veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes, blutë pohuan se mbrëmjen e së mërkurës, Xhevahir Brasha është ekzekutuar nga një person i vetëm dhe se ky i fundit ka qëlluar në drejtim të viktimës me 13 plumba. Mësohet se 41-vjeçari ka marrë 7 plumba kallashnikovi në trup, ku tre prej tyre pas shpine. Në vendin ku ka ndodhur vrasja, janë gjetur dhe sekuestruar 13 gëzhoja model 56, kalibër 7.62 mm. Sipas hetuesve të çështjes, autori ka pritur sapo Brasha i është afruar banesës së tij. Në momentin që viktima ka ulur shpejtësinë e makinës së tij tip “Benz” me targa AA 295 LA, personi që i kishte zënë pritë e ka qëlluar atë për vdekje. Më pas autori i krimit është larguar, ndërsa makina e viktimës është batuar në kanal. Në lidhje me vrasjen e emigrantit (u varros pasditen e djeshme) janë shoqëruar dhe marrë në pyetje 40 persona. E ndërsa policia dhe prokuroria e Durrësit po hetojnë intensivisht për zbardhjen e ngjarjes, familjarët e viktimës kanë deklaruar sërish se nuk kanë konflikte apo hasmëri me askënd dhe se Xhevahiri nuk merrej me aktivitet të paligjshëm. Ata përjashtojnë mundësinë e vrasjes për hakmarrje. Në një intervistë për “GSH”, A.N., djali i hallës së 41-vjeçarit pohoi se dyshimet e policisë se Brasha merrej me trafiqe të paligjshme janë krejt të pabaza.

Kur jeni takuar për herë të fundit me Xhevahirin? E kam takuar para pak ditësh. Të dy shkuam dhe pimë kafe tek “Torra”, në qendër të qytetit të Durrësit. Bëmë shaka me njëri-tjetrin si moshatarë. Nuk kishte asnjë problem. Kishte shprehur shqetësime më pas, apo më herët? Jo. Xhevahiri ishte njeri punëtor. Në Londër punonte në ndërtim e paguhej mirë. As nuk bëhej fjalë që të na thoshte për ndonjë problem. Nuk kishte shfaqur asnjë ankesë as tek ne kushërinjtë e tij dhe as tek familja.

Kur ka shkuar në Londër? Ka shkuar para 20 vitesh. Më pas ka ardhur në Shqipëri, është martuar si dhe solli familjen në Durrës. Me djersën e tij ka ndërtuar shtëpi e katandi. Ka rritur fëmijët duke punuar si emigrant.

Pse njihej me dy emra kushëriri juaj? Xhevahiri ka shkuar në Angli si refugjat nga Kosova dhe është regjistruar atje me emrin Agim Caka. Me këtë emër e ka edhe pasaportën britanike që mori vite më vonë. Në fakt, Agim Caka nuk është identitet i rremë, pasi personi ekziston. Ai është burri i motrës së Xhevahirit, i cili është kosovar. Si të gjithë shqiptarët që kanë ikur në Angli, edhe kushëriri im është paraqitur si kosovar për të përfituar dokumentet. Me dokumentet angleze, ai ka hyrë e ka dalë në të gjithë Europën dhe ka ardhur në shtëpi tek familja për çdo vit.

Sa fëmijë ka Xhevahiri dhe ai ka të rritur? Ka pesë fëmijë, dy djem e tri vajza. Djali i madh është 18 vjeç, ndërsa vajza e vogël e tij ende nuk i ka mbushur 2 vjeçe. Xhevahiri vetë ishte djali i vetëm i familjes, ndërsa ka 5 motra të martuara këtu në Shqipëri e në Kosovë.

Kur është zhvendosur nga Hasi me banim në Durrës familja Brasha? Para 10 vjetësh, jo më shumë. Xhevahiri ndërtoi shtëpinë e tij, pasi bleu truallin. Nuk mundi ta merrte në Angli familjen e tij.

Policia dyshon se vrasja mund të ketë ndodhur për shkak të ndonjë konflikti që kushëriri juaj ka pasur në Angli. Çfarë mund të thoni në lidhje me këtë? Nuk ka asgjë të vërtetë. Xhevahiri nuk ishte konfliktual dhe as nuk merrej me gjëra të jashtëligjshme. Vrasja në Durrës, hetime lidhur me dy identitetet e viktimës VIDEO Vritet me armë zjarri 42-vjeçari tek dera e shtëpisë, më pas hidhet në kanal VIDEO

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd