Transmetuar më 03-02-2016, 18:02

Djaloshi 23-vjeçar që shihni në foto, është Sebastjan Lushaj, një i ri i cili pasionin e vet të hershëm, artin e pikturës, ka arritur të mos e braktisë duke e shkrirë hera-herës edhe me profesionin që ushtron tahsmë prej kohësh, atë të berberit.

Sikundër shihni fotot e mëposhtme, Sebastjani arrin të bëjë art me klientët e tij. Ai, jo vetëm bën që klientët e tij të duken të veçantë me modelet e flokëve, por gjithashtu vizaton tek ata personazhet e famshëm. Dhe kërkesat për të bërë diçka të tillë, diçka ndryshe, janë të shpeshta nga të rinjtë.

Sebastjani, duke folur me NOA.al, pohon se ka arritur të bëjë në kokat e klientëve të tij disa personazhe të famshëm si Rihanna, Cristiano Ronaldo dhe shumë të tjerë.

Dhe së fundmi, personazhi i zgjedhur është ish-kryeministri e Shqipërisë, Sali Berisha. Kërkesë e një djali të ri dhe që u bë realitet me rreth dy orë punë që Sebastjanit iu desh. E në fund, siç e shihni në këto pamje që janë fiksuar në “Barber Shop” ku aktivizohet Sebastjani, doli diçka vërtet e arrirë.

I pyetur rreth teknikave, Sebastani shpjegon se ky imazh është bërë me makinë rroje dhe brisk, ndërsa në disa detaje të vogla është përdorur bojë flokësh.

E jo vetëm djaloshi që e bëri në kokën e tij këtë imazh, por edhe ish kryeministri Sali Berisha, e pëlqeu veçanërisht këtë imazh, pasi fotot dolën në rrjete sociale ku djaloshi i talentuar ka profilet e tij, si Instagram dhe Facebook. Imazhet, dolën edhe në faqe të njohura me miliona fansa të Facebook. Berisha ia ka shprehur personalisht mirënjohjen Sebastjanit, teksa i ka dërguar një mesazh falënderimi dhe respekti, duke i shprehur gjithashtu, “mirënjohje të përzemërt”.

Berberi i talentuar tregon se pasi nuk mundi të fitonte të drejtën për të studiuar në Akademinë e Arteve, vendosi që talentin e tij, ta shfaqte më gjerë. Sfida e radhës është imazhi edhe i kryeministrit aktual, Edi Rama. Sebastjani pohon se janë disa, djemtë e rinj që preferojnë ta bëjnë këtë. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd