
Policia italiane arrestoi dje 9 persona, mes të cilëve edhe dy shqiptarë, vëllezërit Gazmend dhe Azem Tahiraj, në një operacion të suksesshëm në Meolo, në rajonin e Venetos, ku u sekuestruan 130 kg kokainë.
Aksioni blic i Guardia di Finanza së Venecias, në bashkëpunim me Antimafian, vuri në pranga edhe Atilio Violin, 52-vjeç, një nga bosët e mafias kalabreze “Ndrangheta”.
Banda kalabreze ishte pjesë e një narkotrafikut ndërkombëtar, veçanërisht me Amerikën e Jugut. Vetëm në muajt e fundit, ajo kishte arritur të transportonte më shumë se 400 kg kokainë, e ardhur kryesisht nga Kolumbia dhe Kosta Rika me anije.
Më pas, kjo sasi e madhe e drogës, shpërndahej në rajonet e Venetos dhe Lombardisë, në Veri të Italisë.
Ndërsa dy vëllezërit Tahiraj kishin vënë në dispozicion të organizatës kriminale, restorant “Laternën” në Venezia, në pronësi të Gazmend Tahirajt. Në momentin e arrestimit, atyre iu gjet rreth 1 kg kokainë dhe një sasi marijuane, e gatshme për t’u shpërndarë. /f.g/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





