Transmetuar më 01-12-2015, 21:20

Kompania e shërbimeve kabllore dixhitale ka ndërprerë papritur transmetimin e kanaleve televizive në pjesën më të madhe të tyre.

Në frekuencat ku dalin kanalet e Digitalb si dhe një mori kanalesh të tjera që duket se Abcom i merrte nga e njëjta kompani, ka dalë një njoftim që shihni dhe më poshtë, ku akuzohet Digitalb, se ka ndërprerë në mënyrë të njëanshme transmetimin.

Njëkohësisht edhe Digitalb nxori një njoftim pak më parë ku akuzon Abcom se ka ndërprerë në mënyrë të njëanshme bashkëpunimin.

Në këtë pikë lind pyetja se kush po gënjen?

Abcom në njoftimin e saj publik thotë se “sot Kompania DigitAlb ka bërë ndërprerjen e shërbimit TV në mënyrë të njëanshme për të gjithë klientët ABCom”.

Sipas njoftimin, “ky vendim është marrë krejtësisht në mënyrë të njëanshme duke mos respektuar të drejtën e klientëve që kanë paguar për shërbimet e tyre”.

Kompania thotë se po merr masa urgjente që ta zgjidhë këtë situatë në mënyrë që abonentët të marrin “shërbimin cilësor, për të cilin ju keni paguar”.

Por kompania nuk jep asnjë detaj si do të zgjidhet kjo situatë delikate.

Për më tepër, Digitalb duket se e ka ndarë mendjen që mos të ketë më bashkëpunim me Abcom. Në njoftimin e saj publik, Digitalb thotë se “shikuesit e paketave Digitalb, si pjesë e rrjetit kabllor Abcom se mund të konvertojnë menjëherë abonimin aktiv të mbetur në vlerën e tij të plotë pranë dyqaneve të Digitalb”.

Kompania njofton edhe se “për të përfituar nga kjo ofertë, shikuesve të sipërcituar do t’ju ofrohet dekoderi flyBOX + smart card me çmim promocional prej 5.000 lekësh”.

Digitalb sqaron se “kjo ofertë ka për qëllim të kompensojë shikuesit e paketave Digitalb, të cilët në asnjë rast nuk duhet të cënohen nga përfundimi përpara afatit në mënyrë të njëanshme i marrëveshjes nga ana e Abcom sh.p.k, duke ndërprerë shitjen e paketave Digitalb”.

Por ftesa që bën Digitalb nuk preferohet shumë për vetë faktin se përmes Abcom, abonentët mund të merrnin të gjitha kanalet Digitalb. Ndërsa vetë kompania Digitalb ofron paketa tokësore dhe satelitore ku te kjo e fundit janë shumë më tepër kanale. Problemi qëndron se shumë njerëz nuk kanë mundësi të kenë platformën satelitore duke iu privuar kështu shikimi i kanaleve që nuk transmetohen në platformën tokësore.

Ndërkohë, Abcom në faqen zyrtare ka fshirë të gjitha paketat që shiste ku përfshiheshin kanalet e Digitalb. Ajo tani ofron disa paketa me deri 129 kanale dhe çmime deri 1500 lekë mujore, por pa specifikuar se çfarë kanalesh do të transmetojë.

Duket se Abcom do të rikthehet te Tring që ka pasur para se të lidhej me Digitalb sepse në përditësimet që i ka bërë pyetësorit se çfarë kanalesh ofron, përmend “platforma dixhitale ABCom ofron këto kanale me dokumentarë: Tring History, Tring World, Tring Planet, National Geographic, National Geographic Wild, National Geographic HD, Arte, Arte HD, MyZen, MyZen HD, Travel Channel, Travel Channel HD, Discovery Turbo Extra HD, Animal Planet HD, etj.”.

Kurse te sportivët evidenton: “Ne ofrojmë 8 kanale sportive: 5 Kanalet Sport të platformës TRING, 2 kanalet Eurosport HD dhe Eurosport 2 HD, Telesport’.

Sakaq, mister mbetet pse ndodhi kjo histori që dëmton direkt abonentët e shumtë. Në fund të nëntorit, Abcom nxori një njoftim në kanalin e tij nr 1 ku informonte se nga 1 dhjetori do të ketë rishpërndarje të kanaleve duke premtuar më shumë cilësi dhe çmime të mira. Por ajo që ndodhi sot është e papranueshme. Pa asnjë paralajmërim janë ndërprerë transmetimet për klientët që kanë paguar shërbimin e televizionit.

NOA.al u përpoq të lidhej me Abcom por komunikimi me ta ishte i pamundur pasi asnjë formë kontakti nuk u realizua. /noa.al