
Të gjithë mësuesit dhe mjekët të cilët dëshirojnë te kenë mundësi për një vend pune, duhet të japin më parë Provimin e Shtetit. Ky testim sipas Agjencisë Kombëtare të Provimeve do të nisë javën e ardhshme dhe do të zgjasë deri 20 dhjetor.
Në këtë provim pritet që të testohen më shume se 1500 kandidatë. “Për të gjithë kandidatët aplikantë për provimet e shtetit për profesionet e rregulluara të mësuesit, mjekut, farmacistit, stomatologut, infermierit, mamisë, fizioterapistit, logopedistit, teknikut të imazherisë dhe teknikut të laboratorit. Provimet e shtetit për këto profesione të rregulluara do të zhvillohen brenda periudhës kohore: java e katërt e nëntorit deri në javën e katërt të dhjetorit 2015”, thuhet në një njoftim të AKP-s.
Gjithashtu AKP ka publikuar dhe rregullat për profesionistët që do të testohen duke filluar nga java e ardhshme. “Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me: Letërnjoftim për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal), kopje të Kartë ID, faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të AKP, sipas herës së pjesëmarrjes. Për kandidatët në provimin e shtetit mësuesi duhet të paraqesin ditën e provimit kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre”, – janë disa nga rregullat e vendosura nga Agjencia Kombëtare e provimeve. /f.g/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





