Transmetuar më 30-09-2015, 15:24

Paris, 30 shtator 2015, NOA.al- Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj ftoi biznesmenët francezë të investojnë në Shqipëri, duke e cilësuar si momentin e duhur.

Ftesa e tij u bë ditën e djeshme teksa ministri mori pjesë në një takim me investitorë të mëdhenj francezë, në Paris, të organizuar nga Konfederata e Sipërmarrjeve të mëdha franceze, MEDEF.

Ahmetaj bëri një prezantim të performancës së ekonomisë shqiptare dhe mundësive të investimit në shumë sektorë.

Ai veçoi sektorin energjetik, për të cilin tha se Shqipëria po implementon paketën e dytë të ‎reformave në energji, në përputhje me direktivën e BE.

Ahmetaj ftoi kompanitë franceze të marrin pjesë në projektin e gazifikimit të vendit, për eksplorimin e blloqeve të lirë të naftës apo edhe në projektin për gazsjellësin Adriatiko-Jonian (IAP).

Ministri deklaroi se investimet në infrastrukturë edhe në kuadër të procesit të Berlinit, ku ndërlidhja mes vendeve të rajonit është në fokus.

Ahmetaj ftoi kompanitë franceze të bëhen pjesë e procedurës konkurruese për zonën ekonomike të Spitallës, për të cilën shprehu bindjen se do të jetë një ndër më konkurrueset në rajon.

“Së bashku me Bankën Botërore kemi nisur një projekt të përbashkët për ngritjen e qendrës unike të shërbimeve publike për qytetarin”, tha ministri, duke shtuar se ky është momenti i duhur për të ardhur në Shqipëri.

Edhe për Ambasadorin e Francës në Shqipëri, Bernard Fitoussi, kompanitë franceze duhet të rrisin prezencën e tyre në Shqipëri dhe ky është momenti i duhur për ta bërë këtë.

Ndër fushat me interes ishte gjithashtu turizmi, infrastruktura urbane, financimi i SME-ve etj.

Duke folur për mediat ai tha se ka një interes të sipërmarrjes franceze për sektorët kryesorë të Shqipërisë, transportit, logjistika, energjia, turizmi, bujqësia dhe shërbimet./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd