Transmetuar më 30-09-2015, 13:29

Tiranë, 30 shtator 2015, NOA.al- Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri hedh poshtë zërat për një krisje në koalicionin qeverisës.

Nga Elbasani, ku shkoi për një takim me strukturat e policisë në qark, në prag të ndeshjes Shqipëri- Serbi, ai u pyet për takimin e sotëm me kryeparlamentarin, për të cilin tha, “Me Kryetarin e Kuvendit për shkak të detyrës dhe jo vetëm, takohem shumë shpesh. Sot ishte një ndër takimet".

Në këtë linjë deklaroi se prioritetet e qeverisë dhe të mazhorancës janë çështje themelore, në raport me publikun dhe qytetarët dhe në këtë kuadër mbetet gjithmonë nevoja për t’u takuar dhe për të koordinuar veprimet.

Ndërkohë i pyetur nëse ka një krisje mes Kryeministrit Edi Rama, dhe kryeparlamentarit Ilir Meta, ai deklaroi se koalicioni dhe qeveria janë mjaft solide dhe funksionale.

“Koalicioni dhe mazhoranca janë mjaft solide.  Kanë prioritete tepër të qarta, ndër të cilat më lejoni të theksoj reformën në drejtësi që është element kyç jo vetëm për rrugën e Shqipërisë në kuadër të integrimit europian, por mbi të gjitha për ta bërë Shqipërinë dhe shoqërinë më të drejtë nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, për të luftuar pandëshkueshmërinë qoftë kjo brenda gjyqësorit, qoftë nga qytetarët”, tha Ministri i Brendshëm.

Sipas tij, reforma në drejtësi është prioritet maksimal i qeverisë dhe i mazhorancës, ndërsa shtoi se të gjitha fabulat që zakonisht ngrihen në këto raste, janë të pavërteta.

Tahiri deklaroi se koalicioni është shumë funksional dhe i gjithi i fokusuar në prioritetet maksimale që ka Shqipëria në raport me rrugën e integrimit europian, qytetarët shqiptarë mbi të gjitha dhe bashkëpunimin me partnerët.

I pyetur për një koalicion të mundshëm me PD, ai tha se e sigurtë është që vendit i duhet një opozitë e shëndoshë siç është edhe më e sigurtë që opozita ka shumë rrugë përpara dhe vitet që ka përpara do i mjaftojnë për t’u kthyer në opozitën e shëndoshë që ka nevojë vendi.

Ndërkohë pyetjes nëse është në dijeni të një akuze për skenar destabiliteti, bërë nga deputeti i LSI, Spartak Braho, ministri u përgjigj duke thënë se Prokuroria ka urdhëruar të bëhen veprimet dhe shprehu besimin se do të bëhen të gjitha verifikimet e nevojshme në mënyrë që të sqarohet gjithçka për publikun./a.y/noa.al Kryeparlamentari Meta takon ministrin Tahiri Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd