Transmetuar më 29-09-2015, 10:34

Gjashtë persona kanë mbetur të plagosur në një aksident që ndodhi natën duke gdhirë dita e sotme, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd.

Policia lokale tha se 20 vjeçari nga Labinoti i Elbasanit, Altin Kalija, ishte duke drejtuar mjetin e tij tip “Opel” me targa AA 674 EC, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, kur u përfshi në aksident.

Në afërsi të fshatit Mengël, Kalija është përplasur me një mjet tip “Volksvagen” me targa AA349 FO, drejtuar nga 37 vjeçari N.H., banues në Pogradec.

Si pasojë e përplasjes, janë plagosur dy drejtuesit e mjeteve si dhe F.H., 19 vjeçe, banuese në Pogradec, I.Ç., 60 vjeç, banues në Pogradec, E.Ç, 25 vjeçe, banuese në Pogradec, të cilët ishin pasagjerë në mjetin tip “Volksvagen”.

Po ashtu, është plagosur lehtë edhe 42 vjeçarja L.Kalija, banuese në fshatin Labinot Elbasan, e cila ishte pasagjere në mjetin tip “Opel” .

Të plagosurit u dërguan menjëherë në Spitalin Kirurgjik Elbasan, ku tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia tha se materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd