Transmetuar më 28-09-2015, 15:19

Tiranë, 28 shtator 2015, NOA.al- Bashkia e Tiranës ka nisur aksionin për rehabilitimin dhe rikualifikimin e lulishteve dhe ambienteve të tjera çlodhëse në kryeqytet. Aksioni u ndoq sot në terren nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, i cili prezantoi edhe nisjen e aksioni. Gjatë fjalës së tij, nënkryetari Mazniku theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që t’ua kthejë qytetarëve hapësirat e zëna publike.

“Qëllimi është që kudo ku ne kemi krijuar dhe rimarrë hapësira publike, t’ua kthejmë ato qytetarëve, duke i rikualifikuar dhe duke i bërë sa më të shfrytëzueshme”, tha ai.

Vetëm në bllokun e pallateve përballë Gjykatës së Tiranës u mbollën sot 10 pemë, u vendosën 10 stola, si dhe 8 kosha të rinj për hedhjen e mbeturinave. “Me këtë parim, jemi duke u shpërndarë në tërë qytetin, kudo ku mundemi, për të krijuar hapësira të tilla publike të përdorshme nga qytetarët”, tha Mazniku.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bëhen pjesë e nismës së bashkisë “Mbill pemën tënde” dhe të kontribuojnë në gjelbërimin e qytetit, përmirësimin e cilësisë ajrit dhe mjediseve që na rrethojnë.

“Duam të ftojmë të gjithë qytetarët që duan t’i bashkohen kësaj nisme, për të dhuruar apo mbjellë një pemë, për t’u bërë pjesë e këtij qyteti përmes mbjelljes së një peme”, tha Mazniku.

Për këtë qëllim ai ka theksuar se Bashkia e Tiranës ka vendosur në dispozicion edhe një numër telefoni (0692482589; 0682050136), ku çdo person apo biznes i caktuar mund të kontaktojë për t’u bërë pjesë e kësaj nisme.

“Ftohet çdo person apo biznes, i cili do të dhurojë mbjelljen e një peme në qytet, në mënyrë që qyteti ynë të jetë më i gjelbër, nëpërmjet kurorave të gjelbra dhe hapësirave të gjelbra që krijohen”, tha Mazniku. /b.l/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd