Transmetuar më 28-09-2015, 13:17

Tiranë, 28 shtator 2015, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se kërkon dorëheqjen e Ilir Metës, për shkak të akuzave të bëra ndaj tij lidhur me çështjen “CEZ”.

Deklarata e kryedemokratit u bë sot në përfundim të një takimi të zhvilluar me ambasadorin amerikan në vendin tonë, Donald Lu.

Ai tha se e përshëndet qëndrimin e kryetarit të Kuvendit Ilir Meta për hetim ndërkombëtar, ndërsa e ftoi që qysh sot të mbledhë Konferencën e Kryetarëve, dhe ligji i depozituar nga PD sot në Kuvend të kalojë qysh të enjten.

Sipas tij është koha që Ilir Meta të kalojë nga shprehjet në vepra. Basha shtoi më tej se të njëjtën thirrje ja bën edhe kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, duke shtuar se në këtë mënyrë i hapet drita jeshile pranisë së prokurorëve të huaj në vendin tonë.

Ai kërkoi mbështetjen e PS dhe LSI për dekriminalizimin, hetimin ndërkombëtar për CEZ dhe reformën në drejtësi.

Kryedemokrati sqaroi se nuk e ka kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës si kryetar i Kuvendit, por për akuzat që janë bërë për kohën që ishte zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm si personi që qëndron mbas kompanisë DIA.

Basha tha se akuzat i ka bërë avokati i ortaku të tij dhe se kryeparlamentari është nën akuzë me dokumente zyrtare të bëra publike nga media ndërkombëtare.

Ndërkohë Kryeministrin Edi Rama ai e fajësoi për faljen e 600 milionë eurove fatura të njohura nga CEZ.

Në vijim lidhur me përmbajtjen e takimit me ambasadorin e SHBA, ai bëri me dije se u diskutua për çështjet kryesore që shqetësojnë qytetarët.

Kreu i opozitës deklaroi se PD nuk bën lëshime dhe pazare, për dekriminalizimin, luftën ndaj krimit dhe korrupsionit si dhe hetimet për çështjen “CEZ”.

Basha u shpreh më tej se tjetër temë e takimit ishte reforma në drejtësi, ku u diskutua për luftën pa kompromis të kapjes së drejtësisë dhe zhdukjen e fenomenit të vënies së drejtësisë në shërbim të interesave politike./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd