Transmetuar më 25-09-2015, 13:55

New York, 25 shtator 2015, NOA.al- Kryeministri Edi Rama, e nisi vizitën në New York (SHBA) duke iu adresuar me një fjalë “World Leadership Forum”, me temë “Arti dhe politika”.

Në fjalën e rastit ai tha se ka qenë artist dhe se akoma i pëlqen të pikturoj dhe të vizatoj, vetëm se ka më pak kohë.

Në vijim ai shtoi se edhe në politikë, përpiqet gjithnjë të pikturoj me ngjyra, të vizualizoj si dëshirohet vendi që të bëhet dhe si duhet që të ndryshojë në një hap me botën përreth.

“Me këtë nuk dua të them se të gjithë kryeministrat duhet të jenë artistë, përkundrazi, është mirë që politika të mbledhë njerëz me background-e të ndryshme. Besoj se aftësitë që kemi në një fushë mund të na ndihmojnë ose të na pengojnë në një tjetër, edhe pse pavarësisht gjithçkaje artisti brenda meje nuk rri asnjëherë i qetë. Tabloja që unë kam të një Ballkani të ri, një Ballkan në paqe dhe i begatë, i cili të jetë me siguri një hapësirë që s’ka ekzistuar kurrë më parë, nënkupton dialog të madh që përfshin partnerë origjinalë, ose kundërpalë siç është arti, dhe zgjedhjet shumëfishohen, vizioni zgjerohet dhe hapja në korridoret e politikës bëhet më e thellë se kurrë”, u shpreh Rama.

Ai tha se kur bën një pikturë apo vizaton diçka në axhendën e tij, vjen një pikë kur përfundon dhe puna ka mbaruar.

Ndërkohë sipas tij, në politikë tabloja nuk përfundon kurrë tërësisht.

“Në çdo hap përballemi me zgjedhje që duhet të bëjmë, ashtu sikurse artisti. Kjo apo ajo ngjyrë, ky apo ai penel”, tha në vijim kreu i qeverisë.

Forumi “World Leadership Forum” është iniciativë e Organizatës për Politikë të Jashtme, një organizatë me në një historik 97 vjeçar, dedikuar zhvillimit të mendimit, kuptimit, informimit dhe pjesëmarrjes së publikut në politikën e jashtme dhe çështjet globale./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd