
Tiranë, 25 shtator 2015, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratrike Lulzim Basha reagoi lidhur me çështjen “CEZ”, duke thënë se tangoja kriminale luhet nga dyshja Rama- Meta.
Ai deklaroi në një dalje nga selia blu se megaskandali i CEZ do të zbardhet dhe se shqiptarët nuk do mundet të qëndrojnë në kthetrat e tij.
Basha tha se po përdoren stile mafioze për të mbyllur aferat dhe se Rama hoqi dorë nga arbitrazhi në mënyrë korruptive duke i falur CEZ-it miliona euro që mund t’i ktheheshin shtetit.
“Maja e ajsbergut është ajo që qytetarët kanë ndjekur përmes medias por fijet e kësaj afere me qindra milionë euro mbahen nga duart e dy kumbarëve, Edi Rama dhe Ilir Meta. Ndonëse e kanë përdorur dhe po e përdorin marrëveshjen korruptive me CEZ, nga njëra anë, dhe skandalin me DIA-n, për të luftuar njëri tjetrin, në thelb këto dy krime të mëdha po ribashkojnë Edi Ramën e Ilir Metën, në një përpjekje të përmasave dhe stileve mafioze për të mbyllur të dyja aferat. Por nuk do ia dalin dot”, u shpreh Basha.
Ai deklaroi se Rama, hoqi dorë në mënyrë kriminale nga arbitrazhi ku ishte dërguar CEZ nga qeveria paraardhëse, me një marrëveshje korruptive të bërë pa konsulencën ligjore të avokatëve të Shqipërisë që paguheshin nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Sipas tij Kryeministri hoqi dorë duke i falur apo ndarë me CEZ 600 milionë euro fatura të njohura dhe afro 2 miliardë euro që sipas avokatëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, CEZ mund t’i detyrohej Shqipërisë në fund të një procesi të suksesshëm arbitrazhi.
Basha tha se 600 milionë euro që përbëhen nga 95.5 milionë euro shumë që iu pagua CEZ në dorë, 350 milionë euro fatura të papaguara por të njohura nga CEZ ndaj KESH dhe OST; 4.6 milionë të paguara më parë CEZ-as; 135 milionë euro padia e ngritur nga DIA kundër CEZ shpërndarje; 17 milionë dollarë detyrime tatimore gjyqe të fituara që pala shqiptare e autoritetet e tatim taksave kishin fatuar kundër CEZ.
Ai informoi se në fillim të javës që vjen PD do të dorëzojë dy nisma. Kryedemokrati bëri me dije se PD do të dorëzojmë në Kuvend projektligjin për të siguruar hetim ndërkombëtar, për zbardhjen sipas tij të skemës më të madhe të korrupsionit.
Basha tha se kryeparlamentari Meta do ta ketë shansin të tregojë me vepra konkrete ose të demaskohet.
Kryedemokrati duke ju referuar videos të publikuar dje në media, tha në se është bërë e qartë për këdo dhe nga dëshmitë tronditëse që u transmetuan mbrëmë se pas DIA-s është Ilir Meta.
“DIA-s është Ilir Meta. DIA është pra adresa e Ilir Metës, ose njërit prej kumbarëve siç e ka cilësuar Ismailaj, ku do të kalonin miliona euro. DIA u krijua me shtytjen e Ilir Metës dhe u fut në pazar me CEZ, prej tij, me rekomandimin e tij, me lobimin e tij në kohën kur ishte ministër i Jashtëm. Dje pamë sesi dëshmitari kyç, i cili ka në dorë të shpëtojë 135 milionë eurot që DIA kërkon në arbitrazhin e Vjenës, ndonëse i mbrojtur nga Policia u kërcënua me jetë. Kjo sepse fundosja e DIA-s merr me vete edhe Ilir Metën ndaj dhe dëshmitari Elvis Mataj është kërcënuar me jetë, ai dhe familja e tij”, tha Basha.
Duke akuzuar Ramën dhe Meta, ai u shpreh se kjo është tango kriminale që po kërcehet nga dy kumbarët, që kërcënojnë, godasin njëri-tjetrin por edhe mbahen fort pas njëri-tjetrit për hir të qindra milionë eurove, para të shqiptarëve, ndërkohë që varfëria ka shkuar në skaj, të pamundurve u merret shpirti, u mbyllet dyqani, u shkelmohet tezga, mbyllet biznesi i vogël e konfiskohet me dhunë malli i atyre që nuk fitojnë dot as 5 mijë lekë të vjetra në ditë për të ushqyer fëmijët e tyre.
I pyetur nga gazetarët nëse për një hetim ndërkombëtar, duhet dorëheqja e Ilir Metës, ai tha se, “Kushtet tona për një hetim të pavarur të plotë, të gjithanshëm e të besueshëm, përfshijnë dhe do të përfshijnë në çdo rast dorëheqjen e Ilir Metës nga funksioni numër dy në vend”./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





