







Besimtarët myslimanë festojnë sot festën e Kurban Bajramit, e cila cilësohet si dita e sakrificës në emër të njeriut.
Kremtimi i kësaj dite filloi qysh në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë falën Namazin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Duke folur para besimtarëve, nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, ftoi qytetarët të luten për më shumë paqe dhe harmoni.
“Më lejoni që në këto çaste të gëzuara të festës së Kurban Bajramit, festës së sakrificës dhe përkushtimit, t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta, paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë në familjet, miqtë dhe të afërmit tuaj. Sot është Kurban Bajrami, festa që simbolizon, sakrificën sublime të njeriut të përsosur, dhe shënjon kulmin e bindjes, besnikërisë dhe dashurisë ndaj Allahut të plotfuqishëm. Kuptimi i kurbanit dhe sakrificës në Islam, nuk qëndron në derdhjen e gjakut të një kafshe, por në aktin e bindjes”, u shpreh nënkryetari Spahiu.
Sot bëhet kurban një kafshë, një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit dhe më pas mbahet një pjesë e mishit, ndërsa një pjesë shpërndahet për më të varfrit.
Me therjen e kafshës kuptohet përkushtimi jonë për t’iu bindur Krijuesit.
Kurbani bëhet shkak që edhe i varfri të gëzojë dhe të falenderojë Allahun për mishin që i jepet me këtë rast. Njeriu i varfër në sajë të kurbanit kupton se shoqëria në të cilën jeton tregon vëmendje ndaj tij.
Në këtë mënyrë kurbani nxit dhe zhvillon shpirtin e vëllazërimit, të ndihmës, të sakrificës e të mbështetjes së njëri-tjetrit në shoqëri./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





