Transmetuar më 23-09-2015, 17:53

Brezi i ri, i lindur në epokën dixhitale rritet në një botë që është e lidhur në internet në mënyrë konstante, duke u përballur me ngacmimet kibernetike, të cilat sot përbëjnë më shumë problem për të rinjtë sesa abuzimi me drogën.

Sondazhi i Vodafone Group, i autorizuar nga YouGov, dhe i zhvilluar online me 5000 të rinj nga 11 shtete, zbuloi se mesatarisht rreth një në pesë adoleshentë (18%) në të gjitha vendet e anketuara ishin viktima të ngacmimeve kibernetike dhe si rezultat:

41% mendojnë se ngacmimi kibernetik i bënte të ndiheshin të dëshpëruar ose të padobishëm

43% e adoleshentëve mendojnë se ngacmimi kibernetik është një problem më i madh se abuzimi me drogën

26 % ndiheshin krejt të vetmuar dhe 18 % mendonin vetëvrasjen

21% nuk shkonin në shkollë dhe 25 % kishin mbyllur llogaritë e tyre në mediat sociale

38% thanë se nuk u kishin treguar prindërve ose kujdestarëve të tyre, pasi kishin turp (32%), kishin frikë se do të përfshihen edhe prindërit e tyre në këtë histori (40%), ose ishin të shqetësuar se çfarë mund të bënin prindërit (36%)

43% e të anketuarve u shprehën se e kishin të vështirë të përkrahnin një mik të keqtrajtuar në mediat sociale, pasi ata “nuk mund të gjenin fjalët e duhura” për të treguar mbështetjen e tyre. 72% e adoleshentëve thanë se e kanë më të thjeshtë të perdorin një imazh “Emoji” për të shprehur dhembshurinë apo përkrahjen e tyre për miqtë që ishin viktima të ngacmimeve kibernetike.

Në përgjigje të këtyre gjetjeve, Vodafone ka lançuar nismën me imazhe Emoji #BeStrong kundër ngacmimit kibernetik, e cila përfshin krijimin e një pakete me imazhe “Emoji përkrahëse” për të rritur ndërgjegjësimin dhe rëndësinë e shprehjes së dhembshurisë, keqardhjes dhe mbështetjes kur miqtë janë duke u keqtrajtuar/ngacmuar në internet.

Imazhet Emoji u përzgjodhën nga 4,720 adoleshentët e anketuar si simbolet e tyre të preferuar kundër ngacmimit (anti-bulizëm).

Dy grupet e preferuara të imazheve Emoji mund të shihen më poshtë:

Përveç kësaj, Fondacioni Vodafone, dega filantropike e Vodafone Group, në kuadër të programit të saj të familjes dixhitale do të ndihmojë në mbledhjen e fondeve për organizatat joqeveritare (OJQ) kundër ngacmimit (bulizmit), duke dhuruar 10p (14 cent) për çdo retweet në Twitter ose Facebook publik si imazhi emoji #BeStrong i Vodafone.

Kompania gjithashtu është në bisedime me Facebook/Instagram/Twitter që imazhet Emoji të jenë pjesë e platformave të tyre në të ardhmen.

Ideja për realizimin e një “Emoji përkrahëse” u soll për herë të parë në Vodafone Group nga ambasadorja e lëvizjes kundër bulizmit, Monica Lewinsky, e cila ka qenë konsulente e iniciativës, duke punuar së bashku me semiotikanët (që studiojnë shenjat dhe simbolet, si dhe përdorimin ose interpretimin e tyre), organizatën joqeveritare kundër bulizmit ‘The Diana Award’, projektin ‘ENABLE’ të Bashkimit Evropian që ndihmon në luftën kundër bulizmit, si dhe Profesorin e Universitetit të Berkeley, Dacher Keltner, psikologu që dha këshillat e tij në krijimin e personazheve për filmin ‘Inside Out’ nga Pixar Animation Studios.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd