Transmetuar më 23-09-2015, 10:29

Tiranë, 23 shtator 2015, NOA.al- Kryeministri Edi Rama deklaron se lufta ndaj korrupsionit, është luftë për modernizimin e sistemit, duke thënë se nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin por se është sistemi që i korrupton njerëzit.

Deklarata e tij u bë nga Kryeministria, ku paraditen e sotme u nënshkrua një marrëveshje për “Huadhënien për ofrimin e shërbimeve publike” mes Qeverisë dhe Bankës Botërore.

Ai tha në vijim se korrupsioni nuk është gjë tjetër veçse një alternativë aty ku shteti nuk ekziston, pasi i jep fund zgjidhjes së një problemi, për të arritur që shërbimet publike të jenë cilësore dhe transparente, ku duhet disponuar një bazë solide dhe e bollshme të dhënash.

“Ne nuk kemi asgjë për të shpikur, por vetëm të vëmë në jetë një proces duke mësuar nga ata që janë më të përparuar dhe duke shfrytëzuar teknologjinë. Marrim financim për të hyrë në fazën e procesit, duke nisur nga zyra e shërbimeve, në pika jo vetëm kontakti me qytetarët, por për të gjeneruar raporte lidhur me performancën e zyrave të shërbimit. Do t’i japim shtetit mundësinë për të shërbyer”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se projekti parashikon lidhjen e sporteleve në një rrjet, i cili do të jetë tërësisht në shërbim të qytetarit. Sipas Ramës, realizimi i këtij projekti do të bëjë të mundur që procedurat për qytetarët që kërkojnë një dokument të shkurtohen dukshëm.

Kryeministri deklaroi se rezultatet e para do të jenë të prekshme në fund të këtij mandati, ndërsa brenda pesë viteve, sipas tij, qytetarët do të kenë mundësi të marrin shërbimin që kërkojnë përmes aplikimit direkt nga celulari.

Ai deklaroi se nis procesi i dixhitalizimit të bazës së të dhënave, për të arritur në atë moment ku shërbimet të merren pa pasur nevojë që qytetari të shkojë te sporteli dhe të presë nga sporteli t’i vijnë letrat apo dokumentacioni i shumëkërkuar.

Sipas tij, përmbushja e kësaj ambicie do e kthejë Shqipërinë, në një vend normal sa i përket marrëdhënieve qytetar- shtet dhe se sportelet tha ai do jenë një alternativë e dytë./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd