
Bashkimi Europian arriti një marrëveshje për shpërndarjen e 120 mijë refugjatëve midis vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për një hark kohor dy vjeçar.
Kjo ishte një marrëveshje jo unanime, për të cilën Republika Çeke, Hungaria, Sllovakia dhe Rumania votuan kundër dhe Finlanda abstenoi.
Në marrëveshje është përfshirë edhe një pikë për rishpërndarjen në Greqi dhe Itali e 54 mijë refugjatëve që nuk pranohen nga Hungaria, si dhe një klauzolë për një shtet anëtarë që do të gjendet në një situatë të jashtëzakonshme dhe nuk mund të presë refugjatë.
Ministrat e Brendshëm të Francës dhe Gjermanisë, tregojnë qartë se Europa s’mund të presë të gjithë personat në kampet e refugjatëve.
Thomas de Maizière – Ministër i Brendshëm i Gjermanisë, tha: “Ne treguam solidaritetin dhe përgjegjësinë tonë. Por ne nuk mund të strehojmë të gjithë emigrantët që qëndrojnë në kampet e refugjatëve”.
Ndërsa Bernard Cazeneuve – Ministër i Brendshëm i Francës u shpreh: “Jam dakord me Ministrin e Brendshëm gjerman kur thotë se ne s’mund të presim të gjithë personat që janë aktualisht në kampet e refugjatëve. Për këtë, ne duhet të bëjmë një punë të madhe me vendet si me Turqinë, Jordaninë dhe Libanin”.
Marrëveshja e arritur nga ministrat e Brendshëm do të diskutohet tashmë në gjirin e 28 liderëve të Bashkimit Europian, që do mblidhen të mërkurën 23 Shtator në Bruksel.
Evropa po ballafaqohet me krizën më të madhe të valës së emigrantëve që nga Lufta e Dytë Botërore
Më shumë se 500 mijë emigrantë kanë hyrë në Evropë gjatë këtij viti, shumica nga Siria, Afganistani dhe Iraku. Disa dhjetëra mijë janë shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





