
Limbourg, 22 shtator 2015, NOA.al- Drejtuesi i Departamentit të Emigracionit dhe Diasporës në Partinë Demokratike, Bardh Spahia dhe anëtarë të departamentit zhvilluan takime me azilkërkuesit shqiptarë në disa kampe në zonën e Limbourgut dhe Eltz pranë Frankfurtit në Gjermani.
Drejtuesi i Departamentit Bardh Spahia tha se është pikëlluese që shqiptarët braktisin shtëpitë dhe mundin për të gjetur mundësitë dhe shpresën në azil. Sipas tij, nëse shqiptarët do të kishin një Kryeministër dhe qeveri të përgjegjshme e të aftë punësimi dhe mundësitë për një jetë normale do të ishin siguruar atje.
“Por Rama, mazhoranca dhe qeveria janë vetë shkaku i azilit, kësaj drame të madhe kombëtare”, deklaroi Spahia në takimin e djeshëm.
Në kampin Freiherr-Vom Stein Kaserne mbi 50 shqiptarë të ardhur nga Kukësi, Fushë – Kruja, Shkodra, fshatrat e Fierit dhe Lushnjes thanë se shkak i emigrimit është varfëria e tejskajshme dhe pamundësia për një të ardhme normale në familjet e tyre.
Disa azilkërkues deklaruan se janë të gatshëm të përballojnë dhe burgun në Gjermani vetëm që të mos mbijetojnë në terrorin e shtetit dhe qeverisë në vend.
“Ne nuk kemi para të shtyjmë ditën e jo të paguajmë kamatvonesat apo kasat tatimore për dyqanet e listave veresie”, tha njëri prej tyre.
Azilkërkuesit vlerësuan vizitën e Departamentit të Emigracionit si takim i parë i përfaqësuesve politikë nga Shqipëria. Të revoltuar ata shprehën indinjatën për shpërfilljen që sipas tyre Kryeministri Rama bëri me hapjen e ekspozitës së pikturave në Mynih duke refuzuar të thotë dhe një fjalë të vetme për shqiptarët në azil.
Spahia përcolli përshëndetjet e kryetarit të opozitës Lulzim Basha si dhe shprehu vendosmërinë e PD për të luftuar shkaqet e vërteta që detyrojnë shqiptarët të lenë vendin dhe për ti gjetur zgjidhje krizës se shumanshme.
Në kampin Staffel në Eltz ku mbi 200 shqiptarët jetojnë në çadra, zyrtarët demokratë u pritën me emocione, pasi me dhjetra të rinj, gra e fëmijë nuk kontaktonin me javë të tëra me familjarët në Shqipëri.
“Qeveria na braktisi si në Shqipëri dhe në azil. Edhe pse prej nesh votuan Ramën dhe PS ne jemi shumë të zhgënjyer dhe pa shpresë ndaj pushtetit të tij me dhunë dhe terror. Nuk ishte Rilindje por vdekje për ne, dhe shpresat tona”, u shprehën disa azilkërkues të rinj.
Nga ana e tij Spahia tha se Rama dhe mazhoranca këmbëngul në refuzimin e shkaqeve të vërteta të azilit duke manipuluar opinionin, herë si trafik të qenieve njerëzore, herë si leksion diplomacie për politikat emigratore të BE e herë si kritika për statistikat ndaj autoriteteve gjermane. Pra absurdi i pushtetit të krimit nuk ka kufi dhe pasojat bien vetëm mbi shqiptarët e varfër që detyrohen të emigrojnë me çdo mënyrë./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





