Transmetuar më 21-09-2015, 22:09

Edhe dronët nuk kanë të sosur.

Kështu po ndodh me objektin më shumë të përfolur prej afro një viti nga shqiptarët dhe serbët, pas hyrjes triumfale të një droni me simbolin e Shqipërisë së Madhe vitin e kaluar më 14 tetor, në stadiumin e Beogradit ku luhej ndeshja Serbi-Shqipëri, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2016.

Pak ditë pasi policia shqiptare arrestoi një shtetas serb me dron që fuste në territorin tonë, një tjetër plan për “spektakël” me dronë vjen, por këtë radhë nën përkujdesje të lartë shtetërore nga autoritetet shqiptare.

Ndeshja me Serbinë që do të luhet në Elbasan Arena më 8 tetor nuk do të jetë vetëm një përballje sportive. Përmes organizimit të saj Shqipëria do t’i tregojë Serbisë se nuk ka asnjë gjë të ngjashme me të në lidhje me ksenofobinë e racizmin, që u vunë re ne koret e mijëra tifozëve serbë në ndeshjen e luajtur me 14 tetor 2014 në Beograd.

Në ditën e shënuar sportive, nuk do të mungojë edhe spektakli qeveritar, i cili pritet të dominojë mbi skenografinë që dhurojnë gjithnjë tifozët kuq e zi.

Kryeministri Edi Rama ka ideuar një skenografi të veçantë pasi me organizim të përkujdesu, do të lëshohen disa dronë mbi fushë, por jo për të provokuar serbët.

Dronët do të mbajnë një instalacion me disa flamuj të Bashkimit Europian.

Përmes kësaj ideje, Rama kërkon të tregojë se sa i ndryshëm është ai në mendime dhe ide edhe me kryeministrin Vuçiç.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd