
Një numër tregtarësh në qytetet e Elbasanit dhe Kavajës kanë dalë sot në protesta që në mëngjes, ndaj masave të qeverisë për të luftuar informalitetin.
Në qytetin e Elbasanit qindra tregtarë u mblodhën para drejrorisë rajonale të Tatimeve (foto). Ata kanë protestuar duke mbyllur bizneset e tyre në formë proteste, ndërsa shprehen se me masat drastike të marra nga qeveria, duke i tatuar si biznesi i vogël, po çon drejt falimentit shumë prej tyre duke ua vështirësuar jetesën.
Tregtarët thanë se kërkojnë ndihmën e kryebashkiakut, ndërsa grupet e kontrollit të tatimorëve, Inspektoratit të Punës dhe institucioneve të tjera vijojnë kontrollet dhe gjobitjet.
Elbasan
Tregtarët ambulantë në Elbasan u janë rikthyer protestave edhe këtë të hënë, e dyta brenda pak ditësh. Para Drejtorisë së Tatimeve në këtë qytet, ata po kërkojnë përjashtohen nga kërkesa për vendosjen e kasës fiskale dhe të mos u sekuestrohet malli të cilin disa prej tyre e kanë të magazinuar prej 10 vitesh.
Ata thonë se duke qenë tregtarë ambulantë e kanë të pamundur të përballojnë një gjë të tillë.
Sipas tregtarëve, e vetmja gjë që u ka mbetur është të mbyllin aktivitetin dhe qindra familje të përfundojnë pa asnjë të ardhur.
Sipas tyre, Drejtoria e Tatimeve duhet të verifikojë gjendjen ekonomike të çdo subjekti përpara marrjes së masave ekstreme si gjobat apo sekuestrimi i mallit.
Kavajë
Të njëjtën gjë kanë bërë paraditen sotme edhe dhjetëra tregtarë të vegjël të tregut industrial në Kavajë, të cilët prej ditësh nën presionin kontrollit nga tatimorët janë detyruar të mbyllin aktivitetin e tyre në këtë treg.
Këta tregtarë kanë protestuar sot, duke kërkuar nga organet tatimore që të mos njihen si biznes i vogël, por si tregtarë ambulantë, pasi sipas tyre xhiroja ditore për ta është minimale.
“Ne kemi fëmijë për të ushqyer. Nuk na lejon policia sepse thotë që ka urdhër nga kryetari i bashkisë. Jemi dakord që mos të shesim në rrugë, por duhet të na gjejnë vendin ku të tregtojmë”, – thotë një tregtar në Kavajë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





