Transmetuar më 20-09-2015, 10:48

Në një rrëfim të çlirët për “The Guardian”, aktorja dhe modelja e famshme spanjolle Penélope Cruz tregon për hobet dhe pasionet e saj dhe çfarë i ka mësuar jeta deri më tani, fëmijëria me Monica-n dhe vajtja e mundimshme në Amerikë. Kujtim për të mos u harruar për aktoren ishte gjendja e vështirë ekonomike e familjes.

NOA.al e sjell të plotë rrëfimin e saj:

Më pëlqen t’u pres flokët njerëzve. Kur isha vetëm 9 vjeçe, unë kaloja orë të tëra duke larë dhe prerë flokë në sallonin e prindërve dhe ende sot, e bëj të njëjtën gjë me ata që ma lejojnë, si p.sh., Salma Hayek, e cila është një nga mikeshat më të mira të miat. E kam bërë këtë gjë edhe kur i ikën dritat një herë në shtëpi, thjesht me një qiri. Atëherë kuptova sa besim kishte tek unë.

Asgjë nuk është më e bukur sesa biseda me një fëmijë. Ndjeshmëria më e madhe që kam pasur gjithmonë ka ardhur nga mënyra sesi fëmijët e mi (Leo 4 vjeç dhe Luna 2) më shikonin mua. Të jesh nënë e sheh jetën në një këndvështrim tjetër, sikur kthehesh pas në fëmijëri. Edhe pse marrëdhënia që ke me natyrën ndryshon, është si ta shohësh botën me sy tjetër.

Çdo ditë, por çdo ditë ama, duhet ta njohësh pak më mirë veten, por asnjëherë aq afër sa të njohësh çdo mister të saj. Ndonjëherë pas një përvoje të dhimbshme, duhet të shohësh pas dhe të fillosh të përshtatesh, të pranosh çka ndodhur.

Kalimi i moshës është diçka që duhet festuar. Kur kalonin vitet, më parë më pyesnin: “Si ndihesh me kalimin e kohës?”, dhe e kaloja pa përgjigje këtë pyetje. Si mund të bëhet kjo pyetje kur je vetëm 25 vjeçe? Por pjekuria ka vetëm të mira, kështu e shohim ne në Spanjë këtë gjë.

Asnjëherë nuk mund të thuash aq sa doje faleminderit. Asnjëherë nuk është shumë, pasi mirënjohja do t’ju sjellë gjithmonë vetëm të mira, gjithmonë.

Kam disa foto fantastike që nuk do t’ia tregoj kurrë askujt. Kur kam parë, videon e këngës së Michael Jackson, “The Way You Make Me Feel” në vitin 1987, e kam dashuruar femrën që shfaqej aty dhe jam përpjekur të dukem si ajo.

Për të kapur fundin e muajit shpesh ka qenë një punë e vështirë për prindërit e mi. Ne kishim vetëm gjërat bazike, por kemi pasur shumë dashuri për të ndarë mes nesh dhe jam kaq mirënjohëse për këtë.

Kam shkuar në Amerikë me një biletë vajtje-ardhje. Mendova të shkoja atje për tre muaj për xhirimet e “The High-Lo Country” në vitin 1998 dhe pastaj të kthehesha në shtëpi. Më pas më dhanë një pjesë tjetër. Unë e dashuroj vendin tim, Spanjën dhe kam vendosur të jetoj këtu, por gjithmonë jam ndjerë qytetare e botës.

Është frika që të paralizon më shumë në jetë. Frika është armiku ynë më i keq. Ajo ndikon në shumë vendime, kështu që unë gjithmonë luftoj që të mos ma rrëmbejë lirinë vetjake. Tani kam në dorë unazën e babait. Isha mësuar të mbaja të nënës, por ma vodhën dhe ca gjëra nuk i zëvendëson me të tjerat.

Kur kemi qenë fëmijë, motra ime Monica dhe unë, kyçeshim në banjë duke parë revista dhe vizatime. Unë nuk ndihem si specialiste dizajni tani (të dyja kanë dizenjuar koleksione për Mango dhe Agent Provocateur), por ndoshta asokohe ne po bënim prova për çfarë do të vinte më vonë.Kam dëgjuar shumë histori për faktin sesa çapkëne kam qenë fëmijë, dhe tani besoj se ka pasur ca të vërteta në këto fjalë. j.pasku noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd