Transmetuar më 17-09-2015, 14:09

Katania, 17 shtator 2015, NOA.al – 9 shqiptarë dhe 6 italianë kanë përfunduar në prangat e policisë italiane të qytetit të Katanias me akuzën e trafikimit të drogës mes Shqipërisë e Italisë.

Mësohet se të arrestuarit janë: Oresti Mufali 33-vjeç, Albert Shqau 31-vjeç, Erion Mucaj 34-vjeç, Ermir Baja, 46-vjeç, Jodian Shametaj 25-vjeç, Emiliano Shametaj 28-vjeç, Gentian Hoxaj 35-vjeç, Fatjon Hoxaj 28-vjeç dhe Erson Zhuka 31-vjeç.

Ndërsa italianët e arrestuar janë identifikuar si, Giancarlo Galatello 51-vjeç, Gabriele Spagnoli 40-vjeç, Domenico Bottino 50-vjeç. Ndërkohë për tre italianët Maria Grazia Pastura 44-vjeç Francesco Gatto 50-vjeç e Salvatore Franco 36-vjeç është lëshuar urdhëri i arrestit shtëpiak.

Operacioni “Odisea” çoi në sekuestrimin e 3500 kg drogë me vlerën e 70 milionë euro. Ky operacion mësohet se është vazhdim i hetimeve të nisura pas përfundimit me sukses të operacioni “Reset” në vitin 2013 i cili çoi në arrestimin e 23 personave me akuzën e grabitjeve, mashtrimit, drogës e mbajtjes së armëve pa leje.

Hetimet e policisë së Katanias vërtetuan ekzistencën e dy organizatave kriminale njëra me bazë në rajonin e Lacios e tjera me qendër në provincat e Katanias e Raguzës në rajonin e Sicilisë. Këto organizata ishin përbërë kryesisht nga shqiptarë rezidentë në Itali që falë kontakteve me miqtë e tyre në Shqipëri realizonin furnizimin me marijuanë në sasi të mëdha.

Hetimet e policisë dëshmuan se si sasia e madhe e marijuanës e importuar nga Shqipëria furnizonte dy organizata kriminale kataneze; “Gruppo della Stazione” e Grupi “Di Mauro”, i familjes mafioze Pillera, drejtuar nga bosi Paolo Di Mauro, i cili ndërroi jetë në vitin 2014. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd