Transmetuar më 17-09-2015, 13:05

Tiranë, 17 shtator 2015, NOA.al – Ish-kryeministri Sali Berisha ka diskutuar sot në seancën plenare për vendimin e djeshëm të qeverisë për të larguar nga administrata të inkriminuarit. Në fjalën e tij për dekriminalizimin, Berisha u shpreh se nuk mund të shkrihet një komision i posaçëm që është miratuar nga parlamenti.

Denoncoj këtu para jush aktin e pashembullt të djeshëm në të cilin, kreu i meduzës, kreu i krimit të organizuar në Shqipëri shkelmoi në mënyrë banditeske vendimin e parlamentit, Nuk është e lejueshme që qeveria t’i heqë nga duart parlamentit ligjet që ai drafton. E ndalon me një nen të posaçëm”, u shpreh Berisha.

Më tej ish-kryeministri ka vijuar se, “Në morinë  e kundërshtimeve, të akuzave dhe kundër akuzave më e rënda e të gjithave, është shkelmimi i besimit. Është konsensusi që në këtë parlament ka përcaktuar çdo vendim të madh. Me asnjë lloj mekanizmi, nuk mund të shkrihet komisioni i votuar në parlament”.

Në fund të fjalës së tij Berisha ka ftuar kreun e qeverisë Edi Rama, që të flasë personalisht nga foltorja e Kuvendit, dhe sipas tij të mos udhëzojë me mesazhe deputetët e tjerë.

“Nëse ky zotëria zgjedh të funksionojë me sms nga salla për të folur çakejtë, kjo është sjellje banditeske. Ky zotëria ka të drejtë më shumë se unë ta marrë fjalën sa herë të dojë, e të thotë këtu çfarë të dojë. E lëshojnë nervat, s’e lëshojnë s’është faji im. Të mos lëshojë të tjerët. Ky nuk është han, por Kuvend”, tha Berisha.

Duke reaguar ndaj deklaratës së Berishës, ministrja për Shtetin dhe Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj ka sqaruar motivet e vendimit të qeverisë që çojnë në shkrirjen e komisionit. Një nga pikat e forta të ministres Felaj ka qenë tejkalimi i afatit të funksionimit të këtij komisioni, ngritja e të cilit u ra dakord në dhjetor 2014.

“Mbi bazën e rezolutës së dhjetorit, doli vendimi i Kuvendit për ngritjen e komisionit ad hoc. Në vendim thuhej shprehimisht se, ky komision brenda qershorit do të prodhonte produkt për Parlamentin. Që do të thotë se në Parlament sot duhet të kishim grafiqe që t’i diskutonim. Këtu ku kemi arritur është shkelur afati”, ka deklaruar Felaj.

Felaj ka argumentuar më tej se, “qeveria me miratimin e projektligjit ka ushtruar të drejtën që i jep Kushtetuta për të ushtruar nismën ligjvënëse. Në variantin e qeverisë është respektuar pikë për pikë ligji Severino, siç njihet ndryshe ligji analog i miratuar në Itali”. / b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd