Transmetuar më 16-09-2015, 15:57

Tiranë, 16 shtator 2015, NOA.al – Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka kryer auditimin në Degën e Doganës së Tiranës, ku u konstatuan disa mangësi në drejtim të zbatimit të legjislacionit doganor, procedurave të zhdoganimit, administrimit të akcizës, mbikëqyrjes së regjimeve ekonomike, nxjerrjes së vendimeve administrative, si dhe administrimit dhe rikuperimit të borxhit doganor, të cilat kanë sjellë si pasojë një efekt financiar negativ në të ardhurat e buxhetit të shtetit në shumën 130,438 mijë lekë, (rreth 931,000 euro).

Mbi këtë bazë, KLSH ka depozituar pranë organit të Prokurorisë kallëzimin penal për ish-Kryetarin e Degës së Doganës Tiranë dhe ish-Juristin e kësaj dege, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Nga auditimi u konstatua se gjendja e borxhit doganor në fillim të vitit 2014 ka qenë 1,807,618 mijë lekë, kurse në fund të vitit 2014 ajo ka arritur në vlerë 3,400,073 mijë lekë.

Gjendja në fund të periudhës paraqitet me shtesë në 520 raste për 355 subjekte debitorë, në vlerë 1,592,455 mijë lekë rritje të nivelit të borxhit doganor. Shifrat e mësipërme tregojnë për punën e pa organizuar që ka bërë Dega e Doganës Tiranë në drejtim të rikuperimit të borxhit doganor.

Për të gjitha shkeljet e konstatuara nga auditimi, KLSH ka depozituar pranë organit të Prokurorisë kallëzim penal për B.D. ish-Kryetar i Degës së Doganës Tiranë gjatë vitit 2014 dhe F.K. ish-jurist në këtë degë, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës në marrjen e vendimeve administrative”.

Kryetari i KLSH me qëllim përmirësimin e punës në të ardhmen, ka rekomanduar marrjen e 11 masave organizative, 6 masave për kërkimin për shpërblimin e dëmit në shumën prej 130,438 mijë lekë, si efekt financiar negativ në të ardhurat e Buxhetin të Shtetit dhe masave disiplinore nga “Vërejtje” deri në “Largim nga shërbimi civil” për 10 punonjës të Degës së Doganës Tiranë./b.l/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd