
Tiranë, 16 shtator 2015, NOA.al- Komisioni parlamentar për dekriminalizimin, në mbledhjen e dytë të tij po diskuton projektet e qeverisë dhe të opozitës, ndërsa përfaqësuesit e opozitës dhe mazhorancës po debatojnë mes tyre.
Deputeti socialist Taulant Balla tha në mbledhjen e sotme se projekti i propozuar nga opozita meqenëse përfshin propozime për ndryshme kushtetuese duhet të respektojë procedurën e parashikuar nga Kushtetuta për këto ndryshime.
“Varianti i propozuar prej jush bie në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe ligjin “Severino”, tha Balla, ndërsa shtoi se projektligji i qeverisë për dekriminalizimin është në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Ndërkohë demokrati Eduard Halimi deklaroi se nuk duhet të bëhet farsë me procesin e dekriminalizimit, por duhet të nisë diskutimi i propozimit të opozitës.
Halimi tha se nuk duhet të humbet kohë me këtë proces. Ai u shpreh se deputetët e mazhorancës nuk mund të marrin peng procesin e dekriminalizimit.
“Ju nuk e keni seriozisht këtë proces, sepse nëse do të ishte kështu do të kishit bërë ndërhyrjet e nevojshme. S’ka pse Rama të firmosë një dokument për largimin e të inkriminuarve nga administrata, gjë që mund ta bëjë që sot nëse do. Por ju nuk e merrni dot peng procesin e dekriminalizimit. Ndonëse ne nuk kemi votat e nevojshme në Parlament për ta miratuar kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve, kemi mbështetjen e qytetarëve që e duan të realizohet një proces i tillë”, u shpreh Halimi.
Nga ana e tij demokrati Oerd Bylykbashi tha se Kuvendi ka nevojë për dekriminalizimin dhe se kriminelët nuk janë në administratë./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





