Transmetuar më 15-09-2015, 19:22

Puglia, 15 shtator 2015, NOA.al – “Shqiptarët janë integruar plotësisht dhe emigracioni ynë ka hyrë në librat e historisë, duke na mësuar se emigracioni është gjithnjë një burim rritjeje si për vendin e origjinës, ashtu edhe për vendin pritës”. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama gjatë një vizite që zhvilloi sot në Puglia të Italisë, ku u takua me Presidentin e Rajonit, Michele Emiliano.

Më tej kryeministri është shprehur se krahas shqiptarëve që kanë emigruar në Itali, ka edhe shumë italianë që kanë hapur ndërmarrjet e tyre në Shqipëri. “Sot gjërat kanë ndryshuar. Janë më shumë se 20 mijë italianë që punojnë në Shqipëri. Janë të shumta ndërmarrjet italiane në Shqipëri, por duhet të bëjmë më shumë, sidomos në nivel të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe rajonit të Puglia-s”, u shpreh Rama.

Nga ana e tij presidenti i Puglias,  e përgëzoi Kryeministrin për reformat e ndërmarra dhe ofroi bashkëpunimin maksimal të rajonit në fushat e turizmit, tregtisë, transportit dhe ujit. /b.l/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd