Transmetuar më 15-09-2015, 11:52

Tbilisi, 15 shtator 2015, NOA.al- “Shqipëria i mbështet plotësisht aspiratat euro-atlantike të Gjeorgjisë si një orientim i qartë në interes të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Kaukazit”.

Kështu tha kryetari i Kuvendit Ilir Meta gjatë takimit me homologun e Gjeorgjisë ditën e djeshme, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare mbi transparencën parlamentare që po zhvillohet këto ditë në Tbilisi.

Meta konfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për integritetin territorial të Gjeorgjisë dhe shprehu vullnetin për forcimin e bashkëpunimit dypalësh si në planin ndërparlamentar, ashtu edhe në drejtim të plotësimit të kuadrit ligjor të nevojshëm.

Nga ana e tij kryeparlamentari Usupashvili e vlerësoi këtë vizitë të parë të një kryeparlamentari shqiptar në Gjeorgji si një hap shumë të rëndësishëm që hidhet në dinamizimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë.

Meta vlerësoi marrëdhëniet miqësore dhe tha simpatia reciproke që ekziston mes dy popujve kërkon një bashkëpunim dypalësh më aktiv e më konkret, ku dy parlamentet mund të luajnë një rol parësor.

Usupashvili shprehu mirënjohjen e Gjeorgjisë dhe popullit të saj për mbështetjen e qartë të Shqipërisë dhe ndau bindjen e përbashkët se dy parlamentet duhet të punojnë më ngushtë së bashku për hapjen e mundësive të reja dhe zgjerimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd