Transmetuar më 13-09-2015, 13:08

Tiranë, 13 shtator 2015, NOA.al- Partia Demokratike kërkon largimin e kryetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Në një dalje të sotme për mediat, nënkryetari i kësaj partie Edmond Spaho tha se prej 10 ditësh, kryetari i Parlamentit dhe Ministri i Brendshëm, dy funksionarë të rëndësishëm të shtetit janë pa legjitimitet dhe vazhdojnë të ushtrojnë detyrën edhe pse në sytë e mbarë shqiptarëve janë të akuzuar njëri për marrje rryshfeti e tjetri për lidhje me bandat e trafikut të drogës.

Ai tha se kryetari i Parlamentit është akuzuar nga avokatët e qeverisë shqiptare për korrupsion, dhe provat e argumentet e tyre për ryshfetin e Metës janë pjesë e raportit që kanë paraqitur në Arbitrazhin e Vjenës.

Në vijim shtoi se Ministri i Brendshëm akuzohet nga një oficer i lartë i antidrogës me lidhje të forta me partnerët europianë, se është i implikuar me bandat më të rrezikshme të narkotrafikut në jug.

Spaho deklaroi se ky vend dhe qytetarët e tij nuk mund të mbajnë në kurriz dy funksionarë të lartë të shtetit, nën të tilla akuza.

Në emër të PD ai përsëriti kërkesën për dorëheqjen e menjëhershme të Ilir Metës dhe vendosjen e tij në dispozicion të një hetimi të plotë dhe të besueshëm për akuzat e bëra publike.

Në vijim tha se largimi i Saimir Tahirit është parakusht për t’i hapur rrugë një hetimi të plotë e të pandikuar mbi akuzat e tmerrshme dhe faktet e bëra publike për implikimin e tij në trafikun e drogës përmes kushërinjve Habilaj të cilëve ju ka vënë në dispozicion edhe automjetin e tij privat dhe skafin po në emër të tij.

“Dorëheqja dhe hetimi i Ilir Metës, shkarkimi i menjëhershëm i Saimir Tahirit dhe nisja e hetimit për akuzat e rënda ndaj tij, adoptimi pa asnjë vonesë i ligjit për dekriminalizimin si parakusht edhe për rikthimin e besimit në zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe adoptimi i një plani urgjent masash për krizën ekonomike duke ulur taksat dhe rritur pagat e pensionet, kjo është rruga përmes të cilës mund të shpëtohet demokracia dhe stabiliteti i vendit”, u shpreh Spaho.

Në mbyllje ai nënvizoi se nëse dyshja Rama-Meta vazhdon me kokëfortësi të kapen me dhunë e arrogancë pas karriges edhe pse nën akuza të pakapërdishme, atëherë do të përballen me forcën e bashkuar të qytetarëve shqiptarë deri në rrëzimin e regjimit të krimit dhe korrupsionit./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd