
Tiranë, 13 shttaor 2015, NOA.al-Konfindustria i kërkon qeverisë që në një kohë sa më të shpejtë të përmirësojë thelbësisht mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit aktual të tregut të kasave fiskale në vend.
Në kuadër të aksionit kundër informalitetit, administratori i Konfindustria, Gjergj Buxhuku, në një qëndrim për mediat thotë se gjendja e sotme e mënyrës së funksionimit të tregut të kasave fiskale në kushtet e një oligopoli të pastër, është pengesë për arritjen e qëllimit të shumëpritur për formalizimin e ekonomisë.
Konfindustria vlerëson më tej se si masa të nevojshme, që institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin për përmirësimin e gjendjes në tregun e kasave fiskale, janë:
-Liberalizimi/hapja e plotë e tregut të kasave fiskale për operatorët e rinj.
-Dhënia e mundësive ligjore bizneseve të krijojnë marrëdhënie të drejtpërdrejta teknologjike, pa ndërmjetës operatorë të licencuar, me institucionet fiskale në mbajtjen dhe kalimin e të dhënave financiare.
-Përcaktime të sakta ligjore për përgjegjësitë biznes-operatorë të licencuar në përballjen e tyre me institucionet shtetërore në rastet e defekteve teknike.
Plotësimi i kërkesave të mësipërme nga qeveria është domosdoshmëri për uljen e kostove të shitjes dhe mirëmbajtjes së kasave fiskale, thotë Buxhuku, sidomos për biznesin e vogël drejtpërdrejtë e lidhur me suksesin e luftës për formalizimin e ekonomisë në shkallë kombëtare./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





