
Fier, 12 shtator 2015, NOA.al – Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Blendi Klosi, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor inspektoi këtë të shtunë shkollën profesionale “Rakip Kryeziu” në Fier. I shoqëruar edhe nga kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, ministri Klosi ka kanë parë nga afër kushtet që ofron kjo shkollë, klasat, laboratorët, konviktet dhe bazën materiale për kryerjen e praktikës në fushën e agrobiznesit dhe të veterinarisë.
Gjatë fjalës së tij Klosi është shprehur se “Falë reformës, në shkollën “Rakip Kryeziu” këtë vit janë regjistruar në profilin bujqësor dhe atë të veterinarisë 200 nxënës. Tre vite më parë, në këto dy degë ishin regjistruar vetëm 7 nxënës. Qëllimi ynë është që të arrijmë në raportin që 50 për qind të kohës nxënësit ta kalojnë në klasë dhe 50 për qind në praktikë, pranë bizneseve”.
Më tej ai shtoi se, “Kemi ardhur këtu në një nga shkollat model të arsimit profesional. Dhe jo më kot zgjodhëm këtë shkollë simbol të shkollës bujqësore në të gjithë vendin, pasi këtu kuptohet fare qartë diferenca që bën reforma në arsimin e mesëm profesional”.
Klosi ka theksuar gjithashtu gjatë këtij inspektimi se rritja e vëmendjes së të rinjve por edhe e prindërve për t’i orientuar ata drejt shkollave profesionale tashmë është një fakt. Kjo pasi, siç bëri të ditur ministri, në vetëm 11 ditët e para të regjistrimit në shkollat profesionale është parë një rritje e përgjithshme me 40 për qind, krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi nga ana e tij ka siguruar mbështetje për stafin e shkollës, duke bërë të ditur se ka në projekt disa investime që do të rrisnin peshën e shkollës dhe do të ndihmonin në përgatitjen më të mirë të nxënësve. /b.l/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





