
Durrës, 12 shtator 2015, NOA.al- Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur si pasojë e një aksidenti të ndodhur në Durrës.
Rreth orës 03.30 të natës së lënë pas, ndaj të gdhiri në aksin rrugor Plepa- Shkozet- Unazë, në afërsi të mbikalimit të trenit 57 vjeçari N. Ç., banues në Tiranë, duke drejtuar mjetin tip BMV me targa AA 470J Z, ka humbur kontrollin e drejtimit të automjetit.
Për pasojë janë aksidentuar familjarët që udhëtonin me të. Më konkretisht, ka ndërruar jetë nëna e drejtuesit të mjetit M.Ç., 79 vjeçe, ndërkohë që ndodhen në gjendje të rëndë 56-vjeçarja N.Ç., banuese në Tiranë dhe Dh.Ç., 46 vjeçe, banuese në Tiranë.
Të plagosurit ndodhen në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Krahas tyre në makinë ndodhej edhe 8 vjeçarja J.Ç., e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu edhe drejtuesi i mjetit ka pësuar dëmtime të lehta.
Mësohet se familja nga Tirana kthehej nga një dasmë në Rrogozhinë në momentin që janë aksidentuar. Drejtuesi i mjetit i cili pritet të arrestohet udhëtonte me nënën e tij, e cila humbi jetën, me motrën, gruan dhe vajzën 8 vjeçare.
Në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor dhe nga veprimet paraprake rezulton se shkak ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe përdorimi i pijeve alkoolike nga ana e drejtuesit të makinës./k.b/a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





