Transmetuar më 11-09-2015, 18:09

Gjermani, 11 shtator 2015, NOA.al “Potenciali i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë është jashtëzakonisht i madh”. Kështu është shprehur kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, gjatë takimit të zhvilluar sot në Landin e Bavarisë, ku u takua me Kryeministrin Horst Seehofer.

Kreu i ekzekutivit nënvizoi se “marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera”, ndërsa shtoi se “në kuadër të bashkëpunimit të nisur në fushën e arsimit profesional, ku Shqipëria ka implementuar sistemin dual të edukimit, është tejet i rëndësishëm për të dy vendet”.

Më tej kryeministri Rama e njohu kreun e ekzekutivit të Landit të Bavarisë edhe me ecurinë e procesit të Berlinit, si dhe hapat e ndërmarra nga Shqipëria në përshpejtimin e procesit të integrimit europian.

Nga ana e tij, Kryeministri Horst Seehofer, u shpreh se: “Marrëdhëniet ekonomike dhe politike mes dy vendeve tona janë të shkëlqyera. Do bëjmë gjithçka që Shqipëria në një kohë të parashikueshme të ketë një perspektivë drejt Evropës dhe BE-së”.

Ndërsa në fund të takimit  shprehu edhe dëshirën e tij për të zhvilluar një vizitë në Shqipëri. “Mirënjohës kryeministrit Rama që na vizitoi. Për të thelluar marrëdhëniet që kemi më ka ftuar në Shqipëri dhe e ka parashtruar Shqipërinë kaq bukur sa jam kureshtar dhe do e vizitoj këtë vend.  /b.l/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd