Transmetuar më 11-09-2015, 10:10

Tiranë, 11 shtator 2015, Noa.al- “Plot pesë miliardë lekë, janë bërë gati për t’iu dhënë sot mikut e klientit të Edi Ramës”. Kështu është shprehur sot zëdhënësia e Partisë Demokratike, Orjela Nebijaj në një deklaratë për mediat nga selia blu.

Ajo tha se pas pak orësh, sipas porosisë së Edi Ramës, OSHEE do hapë zarfet për të shpërblyer me 5 milionë dollarë një mik e klient të vjetër të Kryeministrit, me të cilin ai ka marrie e dhënie që në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.

Nebijaj e ka quajtur OSHEE-në si mashë të përdorur në këtë rast, duke shtuar se paratë që do jepen për ndërtuesin e Edi Ramës janë marrë me kërbaç, me dhunë e me burg, me jetë njerëzish nga shqiptarët e varfër e të pamundur.

“Paratë e gjakut të shqiptarëve, janë paketuar, janë bërë gati, për tiu dhënë sot mikut e klientit të Edi Ramës”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Zëdhënësia e PD-së, e mbyll deklaratën me pesë pyetje të drejtuara OSHEE-së dhe për të cilat thotë se çdo shqiptar kërkon përgjigje:

-A është paracaktuar fituesi për tenderin e godinës së kësaj organizate?

-A janë bërë kriteret enkas për fituesin e paracaktuar?

-Pse nuk ka transparencë për paratë e shqiptarëve?

-Pse shpenzohen paratë e mundit, e gjakut të shqiptarëve për zyra të reja e për luks?

-Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë aferë korruptive?. /o.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd