
Terreni i vështirë dhe errësira e natës pa hënë i ka kushtuar jetën një 51 vjeçari nga fshati Berishë i Iballës në bashkinë e Fushë Arrëzit.
Sokol Majsa 51 vjeç, natën duke gdhirë dita e sotme, ka qenë duke u kthyer nga festa e “Zojës së Mërturit” ku kishte qenë i ftuar nga disa miq në fshatin Mërtur kur rreth orës 03:00 të mëngjesit të kësaj të mërkure i ka rrëshkitur këmba, duke i kushtuar daljen nga rruga këmbësore ku udhëtonte i vetëm duke rënë në humnerën thikë nën shtegun në të cilin ai ecte.
Ngjarja ka ndodhur në një terren tejet të thepisur në Përrojin e Trovnave në fshatin Berishë (foto) teksa Majsa nuk kishte shumë për të mbërritur në banesë, ku e prisnin dhe familjarët.
Terreni tejet i thepisur dhe përplasjet e forta e kanë bërë të pamundur mbijetesën e 51 vjeçarit, ish sekretar i Partisë Socialiste në Pukë, i cili prej vitesh ishte në kërkim të një pune, por që e pati të pamundur edhe pas rikthimit të PS në pushtet.
Kanë qenë familjarët e viktimës ata të cilët ishin vënë në dijeni se kryefamiljari i tyre ishte nisur nga Mërturi mbrëmjen e vonë të së martës të cilët janë merakosur kur Sokoli nuk u përgjigjej në telefon.
Të alarmuar ata janë nisur drejt shtegut nga duhet të vinte i afërmi i tyre. Zilja e telefonit të cilën e provonin pa pushim i ka ndihmuar të gjenin 51 vjeçarin, por ai ishte i pajetë kishte përfunduar dhjetëra metra poshtë rrugës.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





