Transmetuar më 10-09-2015, 12:59

Tiranë, 10 shtator 2015, NOA.al- Ish- Kryeministri Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit, deklaroi se në CEZ ka ndodhur grabitja më e madhe në histori që u është bërë shqiptarëve.

Duke folur në seancën e sotme parlamentare ai tha se Kryeministri Edi Rama, i doli në mbrojtje CEZ pas denoncimit të aferave korruptive.

“Dua t’jua them shqiptarëve se CEZ është grabitja më e madhe, plaçkitja që ju ka bërë ndonjëherë një Kryeministër dhe një kompani, Edi Rama dhe CEZ, çështja e CEZ e ngritur në mënyrë të përsëritur, si korrupsioni më i madh në historinë e vendit. Mediat kanë zbuluar një akt tjetër se DIA e Kastriot Ismailaj i ka dhënë ryshfet ministrit të Jashtëm të asaj kohe. Nga ana tjetër një padi vjen nga ish administratori i CEZ, se Meta si ministër i Jashtëm e ka takuar në Pragë dhe ka negociuar me Hajsek me Kastriot Ismailaj”, u shpreh Berisha.

Në vijim ai tha se Ilir Meta si ministër i Jashtëm s’ka pasur asnjë detyrë për të negociuar me CEZ për asnjë lloj problemi të kësaj toke dhe se i ngarkuar ka qenë ministri Haxhinasto dhe asnjë asnjë zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ai ngriti pikëpyetje se cilat janë motivet që e kanë shtyrë Metën të takojë Hajsekun në Pragë dhe të negociojë për Ismailaj. Ai shtoi se akti korruptiv me CEZ duhet të hetohet.

Në vijim shtoi se Kastriot Ismailaj dhe CEZ-i kishin të njëjtën studio avokatie.

Braçe: Vjedhja nga qeveria e kaluar

Në replikë ndaj ish-Kryeministrit Berisha, deputeti socialist Erion Braçe tha se ai e ka zyrën në të njëjtën godinë me përfituesit e shumave të mëdha nga mbledhja e borxheve të CEZ.

Në këtë linjë ai tha se dy prej tyre kanë të njëjtin administrator dhe i kanë zyrat në njëjtin godinë ku është aktualisht zyra e Berishës.

“Në vitin 2009 kishin kompaninë shtetërore që u privatizua me një akt personal të Kryeministri i atëhershëm. I gjithë procesi u përmbyll me një takim të Berishës në Pragë dhe aprovimit për mbështetje për statusin. Nga kompania e OSHE-së u kaluan të gjitha asetet tek CEZ. Ka dy çështje. Së pari kompania që do mblidhte borxhet e CEZ dhe vendimet që janë marrë në favor të CEZ ndaj OST dhe KESH. Atëherë keni mbajtur qëndrime të kundërta”, tha Braçe.

Po ashtu Erion Braçe, akuzoi qeverisjen paraardhëse për aferën me CEZ. Sipas tij, kjo vjedhje u bë nga vetë Berisha kur ishte Kryeministër dhe ministri i tij i Financave, Ridvan Bode.

“Gjithë sa dëgjova vetëm dy gjera nuk u thanë për shqiptarët që në vitin 2009 kishin një kompani publike me një vendim të kryeministrit në atë kohë por nuk u privatizua me një komani të huaja, CEZ. Pra shqiptarët që na dëgjojnë sot duhet të kenë të qartë njëherë e mirë që nga OSHEE u kalua në privatizim me një mal me problematika në procedurën për privatizim dhe dhënien në privatizim”, u shpreh më tej deputeti socialist./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd