
Tiranë, 9 shtator 2015, NOA.al- Kryeministri Edi Rama deklaroi se lufta ndaj informalitetit nuk është e lehtë, por është tërësisht e mundur.
I pranishëm ditën e sotme në një aktivitet të Ministrisë së Shëndetësisë me temë, “Në mbrojtje të shëndetit të qytetarit, kundër informalitetit”, kreu i qeverisë tha se të dhënat e marra që nga dita e nisjes së aksionit ndaj informalitetit janë drithëruese.
“Në vetëm 6 ditë, nga 1 deri në 6 shtator, krahasuar me këtë periudhë të dy viteve të kaluara, kuponat kanë shkuar nga 3.9 milionë në 6.2 milionë dhe vlera e tatueshme ka shkuar nga 65 milionë dollarë në 82 milionë dollarë. Është simptoma e një transformimi që do të na çojë në shifra shumë herë më të mëdha”, u shpreh Rama.
Ai deklaroi se të gjithë duhet të marrin atë që u takon dhe kjo vlen edhe për shëndetësinë.
Sipas tij shteti nuk mund të jetë në lartësinë e duhur nëse arka e shtetit vidhet çdo ditë, ndaj e cilësoi si të domosdoshëm formalizimin e shërbimit shëndetësor. Kryeministri shtoi më tej e lufta ndaj informalitetit do të garantojë barna dhe shërbime shëndetësor më të sigurtë.
Ai tha se deformimi i tregut, tregtimi në kanale të pasigurta të barnave mjekësore është edhe më shumë sesa hajdutëri, duke e cilësuar si krim.
Kreu i qeverisë u shpreh se synimi është rritja e transparencës në marrëdhënien mes ofruesve të shërbimit dhe njerëzve në nevojë në shërbimin mjekësor, duke shtuar se kjo marrëdhënie shërbimi është dhe ekonomike.
Qoftë fatura, qoftë kuponi tatimor, sipas tij, janë elementë thelbësor të kësaj marrëdhënie për të garantuar standarde dhe jJanë një pamje, pjesët e së cilës nuk mund të qëndrojnë të shkëputura nga njëra-tjetra.
“Zinxhiri i informalitetit nuk fillon dhe nuk mbaron vetëm përmes hallkave të një malli që prodhohet, importohet, shpërndahet dhe në fund shitet. Pjesë jetike e këtij zinxhiri janë inspektorët, janë bashkëpunëtorë aktivë në mbajtjen lidhur të zinxhirit të hajdutërisë. Për këtë arsye në paketën ligjore kundër informalitetit që do të kalojë në Kuvend në javët e ardhshme do të ndëshkojë të gjithë ata inspektorë që fshehin aktivitetin ekonomik apo tregtar që kanë për qëllim të kontrollojnë, apo bashkëpunojnë për të njëjtin qëllim në funksion të marrjes së ryshfetit do të ndëshkohen me heqje lirie”, deklaroi Kryeministri.
Ai bëri me dije se do ndëshkohen jo kur të kapen me para në dorë, por kur zona e veprimtarisë së tyre të gjendet e kontaminuar nga ky bashkëpunim./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





