Transmetuar më 09-09-2015, 09:45

Tiranë, 9 shtator 2015, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, thotë se raporti përfundimtar i zgjedhjeve të 21 Qershorit, nga ana e OSBE- ODHIR, ishte damka më e zezë që ka marrë një proces zgjedhor në Shqipëri që prej vitit 2003.

Në një dalje të sotme për mediat nga selia blu ai deklaroi se në 21 Qershor nuk u mbajtën zgjedhje të lira dhe të ndershme por se ky togfjalësh është zhdukur dhe nuk figuron në raport, pasi siç tha ai qeveria zhbëri standardet më themelore të zgjedhjeve, duke bërë kthim mbrapa.

Ai shtoi më tej se dhunimi i lirisë së votës përbën shkelje të standardit dhe dinjitetit dhe se raporti konstaton se liria e qytetarëve për të hedhur votën e lirë u dhunua.

“Raporti nënvizon presionin mbi punonjësit e administratës për largim nga puna apo për t’u filmuar në takimet e subjekteve qeveritare. Zhbërja e standardeve të zgjedhjeve nuk erdhi as për shkak të mungesës së legjislacionit apo vullnetit për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por për shkak të vullnetit të dyshes Rama- Meta për të kapur pushtetin me çdo çmim dhe mjet”, u shpreh Basha.

Kreu i opozitës deklaroi më tej se raporti zbulon se në 21 Qershor nuk pati konkurrencë dhe garë të alternativave, por se shteti u ndesh kundër qytetarëve.

Ai tha se në çdo faqe të raportit damka e zezë e shkatërrimit të zgjedhjeve është e pranishme, ndërsa nënvizoi se janë vërejtur sekuenca firmash të hedhura me një dorë, çka konfirmon mbushjen e kutive.

Raporti konstaton edhe raportime të marrjes së kartave të identitetit, deklaroi kryedemokrati, duke shtuar se kandidati i Kamzës i qeverisë ishte angazhuar në mbledhjen e kartave të së paku 70 personave.

“Raporti nënvizon shkeljen e lirisë për të kandiduar të barabartë. Kjo është e paprecedentë që nga zgjedhjet e 1997-2000. Konstatohen ankesa për dhunë ndaj aktivistëve të opozitës dhe qytetarëve”, tha Basha.

Kryedemokrati shtoi më tej se vetëm kandidati i qeverisë për Tiranën shpenzoi mijëra euro për spote në fushatë blerje të hapësirës televizive, duke thënë se u pengua një garë reale alternativash dhe partish.

Ndër të tjera ai deklaroi se Edi Rama dhe Ilir Meta janë zyrtarisht nën akuzë se e kanë kthyer vendin pa zgjedhje dhe pa vullnet të lirë të sovranëve.

Rama: Flet e s’di ç’flet

Në reagim të deklaratës së kreut të PD, Lulzim Basha, Kryeministri Edi Rama e krahason atë me Suden.

Në profilin e tij në Twitter ai shkruan, “Vajmedet PD. Flet e s’di ç’flet po kur lexon raportin e ODHIR-it ngjan tamam si te ishe Sudja duke lexuar me zë të lartë Financial Times”./a.y/noa.al Raporti final i OSBE/ODIHR flet për shitblerje votash pa fakte dhe emra

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd