Transmetuar më 08-09-2015, 10:40

Gjykata e Lartë do të marrë sot në shqyrtim rivlerësimin e masës së sigurisë ndaj deputetit të arrestuar, Armando Prenga.

Pas vendimit të marrë dje nga Kuvendi i Shqipërisë, për t’i hapur rrugë hetimit të deputetit Prenga, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë sot në mesditë (12:00) masën e sigurisë ndaj Prengas.

Sipas shortit të hedhur një ditë më parë, trupa gjyqësore do të përbëhet nga Mirela Fana, kryetare e trupit gjykues dhe anëtarët: Artan Boci, Artan Zeneli, Edmon Islamaj dhe Tom Ndreca.

Deputeti Prenga, i cili ndodhet në ambientet e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës akuzohet për “Armëmbajtje pa leje”, Plagosje rëndë me dashje” dhe “Kanosje”. Ai akuzohet nga prokuroria se është i përfshirë në një konflikt familjar për çështje pronësie dhe si rrjedhojë e konfliktit kanë mbetur të plagosur shtatë presona, mes të cilëve dhe vëllai i deputetit.

Prokurori i cili po shqyrton çështjen dhe që ka kërkuar masën “Arrestin me Burg” për të, Altin Binaj ka deklaruar se në bazë të akuzave të ngritura nga organi akuzës deri më tani për Deputetin Socialist për zonën e Laçit, Prenga rrezikon deri në 15 vite burgim.

Por, gjithsesi kjo mbetet për t’u parë, pasi fillimisht prokuroria duhet të plotësojë dosjen ndaj tij dhe më tej të shihet vendimi Gjykatës. Kujtojmë, kuvendi votoj një ditë më parë me 118 vota pro dhe 1 kundër arrestimin e deputetit Prenga.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd