
Laç, 6 Shtator 2015 / Ardian Bushi – Lugina e Patokut ishte sebepi i sherrit që u shndërrua në përleshje me armë të ftohta dhe zjarri në minutat e para të ditës së shtunë, fillimisht afër kësaj prone e më tej pranë komisariatit të Policisë Laç.
Bilanci i ngjarjes, shtatë persona të plagosur, 34 të shoqëruar dhe në fund 6 të arrestuar, mes tyre edhe deputeti socialist, Armando Prenga i cili u gjet madje me dy pistoleta.
Konflikti mes fiseve Prenga dhe Çali nisi mesnatën duke hyrë e shtuna në rrugën Patok Laç.
Familjarë dhe të afërm të familjes Çali me banim në Fushë Kuqe të rrethit të Kurbinit mendohet se i kanë dalë në rrugë deputetit Armando Prenga te segmenti që lidh plazhin e Patokut me Laçin.
Për ndalimin e mjetit të deputetit, familja Çali ka përdorur një mjet të tyre. Në momentin që deputeti ka ndaluar makinën e tij, ku ka qenë duke udhëtuar i vetëm, kanë rrethuar makinën duke tentuar që ta zbritnin e më pas ta qëllonin me sende të forta.
Në këtë moment, deputeti Prenga ka nxjerrë një pistoletë dhe ka hapur xhamin e makinës duke qëlluar në ajër e është futur mes turmës së njerëzve me shpejtësi dhe është larguar në drejtim të Laçit, pa plagosur njeri.
Deputeti Prenga po kthehej nga lokali i vëllait të tij Valentin Prenga, lokal që e disponojnë në Lagunën e Patokut dhe në ato momente ka qenë i pashoqëruar nga askush.
Ndërsa familja Çali dhe të afërmit e tij e kanë patur të lehtë të ndiqnin itinerarin e deputetit, pasi edhe ata kanë në Lagunën e Patokut një lokal të tyre, ngritur vite më parë.
Gjatë largimit të Armando Prengës për në Laç, deputeti socialist fillimisht ka njoftuar vëllezërit dhe më tej Policinë e Kurbinit që është nisur për në Patok, ku edhe kishte nisur ngjarja.
Gjok Çali ka trokitur i pari në polici duke dashur të bënte edhe kallëzimin për deputetin Prenga se ka qëlluar në drejtim të tyre me armë.
Ndërkohë edhe deputeti Prenga ka mbërritur para komisariatit të Kurbinit së bashku me vëllain e tij Eduart Prengën dhe Gazmir Jushin.
Me të zbritur para policisë, familjarët e familjes Cali, kanë qëlluar me thikë vëllain e deputetit Prenga, ndërsa i janë sulur me shkop bejsbolli dhe gurë edhe deputetit Prenga.
Në këtë momente, Armando Prenga ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar në ajër por pa mundur të kontrollojë drejtimin e të shtënave e për pasojë ai ka plagosur Gjok Calin në këmbë.
Gjatë kësaj kohe kanë mbërritur edhe familjarët e familjes Prenga dhe ka nisur edhe përleshja masive, pasi sipas policisë, para komisariatit janë mbledhur mbi 40 persona.
Ndërhyrja e policisë e menjëhershme ka bërë që përleshja mes familjarëve të deputetit Armando Prenga dhe familjarëve Çali të zgjerojë rrethin duke vijuar edhe përgjatë rrugës së unazës së qytetit dhe rrugës që lidh Laçin me Patokun, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur Gazmir Jushi, Eduart Prenga, Tom Çali, Gjergj Çali, 55 vjeç, Gjok Çali, Nikoll Çali, dhe Françesk Çali.
Të plagosurit fillimisht janë dërguar në spitalin e Laçit e pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore janë transportuar për tek spitali i traumës në Tiranë, ku edhe kanë marrë mjekimet e nevojshme.
Forca të policisë së Kurbinit të mbështetura edhe nga policia e Lezhës e më pas nga forcat e Ndërhyrjes së shpejtë dhe RENEA, kanë nisur operacionin për zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e personave ku menjëherë është prangosur deputeti Armando Prenga i cili nuk është larguar nga komisariati i Kurbinit pas ngjarjes dhe më pas janë arrestuar edhe 35 persona të tjerë të cilët vijojnë të merren në pyetje.
Në hetimin që po kryhet, policia dyshon se familja Çali ishte parapërgatitur për konfliktin, për të kërcënuar deputetin që të tërhiqte vëllezërit e tij nga ushtrimi i aktivitetit në Lagunën e Patokut, pasi sipas tyre ka qenë ndërhyrja e deputetit që ka bërë që ata të humbisnin tenderin për të marrë dhe shfrytëzuar Lagunën e Patokut.
Por situata ka precipituar e për pasojë edhe ka nisur edhe konflikti fizik mes palëve të cilët kanë qenë në numër të madh në raport edhe me forcat e policisë së komisariatit të Kurbinit, të cilët në ato momente ndodheshin në komisariat dhe nuk kishin informacion për një konflikt të mundshëm.
***
Gjithçka ka nisur një vit më parë kur vëllai i deputetit socialist, Valentin Prenga mori tenderin për shfrytëzimin e lagunës së Patokut.
Firma e vëllait të deputetit Armando Prenga që fitoi tenderin kishte dy muaj që ishte ngritur.
Në këtë tender ka konkurruar edhe fisi Çali që është marrë prej vitesh me peshkim, por e ka humbur me pesë pikë më pak se vëllai i deputetit socialist.
Gjergj Çali ka ngritur një padi për agjencinë e prokurimeve që po gjykohet në Gjykatën Administrative në Tiranë.
Ndërsa palët nisën fillimisht betejën e denoncimit në media ku Gjergj Çali denoncoi përfshirjen e deputetit socialist.
Deputeti Armando Prenga tha se familja Çali janë nipat e ish- deputetes së PD-së për Kurbinin, Pavlina Hoti dhe kërkoi edhe hetimin e marrjes së këtij tenderi nga familja Çali.
Dëshmia e deputetit Armando Prenga: Gjon Çali më kërcënoi me armë
Deputeti socialist, Armando Prenga ka dëshmuar pasditen e sotme përpara prokurorit, Kosta Beluri dhe avokatit lidhur me incidentit e ndodhur paraditen e sotme në Laç, ku si pasojë mbetën të plagosur 7 persona.
Gjatë dëshmisë së tij, Prenga ka deklaruar se në momentin e ngjarjes ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij nga Patoku drejt Laçit, kur Gjon Çali i ka zënë pritë. Më tej ai shton se pas pritës kam qëlluar në ajër me armë dhe kam nisur vëllain për të bërë denoncimin.
“Po udhëtoja nga Patoku në Laç në kohën kur Gjon Çali më zuri pritë dhe në kërcënoi me armë. Kam qëlluar në ajër. Vëllain e kam dërguar drejt rajonit të policë për të bërë denoncim, ndërsa vetë jam nisur për në lokalin e Çalëve”, shprehet Prenga.
Më tej në dëshminë e tij, deputeti socialist dëshmon se arrestimi i tij nga policia është bërë në mënyrë të paligjshme dhe kërkon lirimin.
“Jam ndaluar nga policia në Spitalin e Traumës në Tiranë. Urdhri për ndalimin tim është krejtësisht i paligjshëm. Kërkoj lirimin”, tha Prenga.
Dhuna e Laçit, 6 të arrestuar, mes tyre Armando Prenga, deputeti i PS
Shefi i Komisariatit të Policisë Kurbin, Komisar Nik Nikollaj doli sot pasdreke për mediat (foto lart) dhe tha se lidhur me ngjarjen e Laçit janë arrestuar 6 nga 34 personat e shoqëruar. Mes të arrestuarve është dhe deputeti socialist Armando Prenga për të cilin rëndojnë tre akuza.
Nikollaj, sikurse shikoni dhe videon më poshtë që ju sjell NOA.al, tha se “është arrestuar në kushtet e flagrancës deputeti Armando Prenga, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar i përfshirë në këtë ngjarje”.
Kryepolici tha se arresti në flagrancë i deputetit Prenga u krye me akuzat “Plagosje e rëndë, me dashje”, “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje serioze për vrasje”.
Nga tërësia e veprimeve të para hetimore, për të njëjtat akuza u bë arrestimi edhe i Anton Leka dhe Gazmir Jushi.
Në pranga janë vënë gjithashtu shtetasit:
– Gjokë Cali, për vepren penale të “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”
– Nikollë Cali, për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta” dhe “Plagosje të rëndë me dashje”
– Gjergj Cali, për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta” dhe “Plagosje të rëndë me dashje”.
Nikollaj tha se vendi i ngjarjes, ku ka ndodhur konflikti mes personave të arrestuar dhe shoqëruar në Polici, ndodhet jashtë ambienteve të Komisariatit të Kurbinit.
Ai shtoi se vendi i ngjarjes është i administruar me prova shkencore, përfshirë materiale filmike dhe fotografike, të referuara në Prokurori.
Kryepolici tha se aktualisht vijon ekzaminimi shkencor më i specializuar i provave të gjetura në vendngjarje apo nga kontrollet në banesa, nën ndjekjen dhe drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Zyrtarisht nuk konfirmohet nëse z.Prenga ka bërë qitje me armën e zjarrit.
Pyetje-përgjigjet
Pyetje: Deputeti Armando Prenga akuzohet për plagosje të rëndë me dashje, kë person ka plagosur dhe me çfarë mjeti ka plagosur
Shefi i komisariatit: Nga veprimet e kryera deri tani ka plagosur me qytë pistolete shtetasin Gjok Cali.
Pyetje: A ka qëlluar me armë zjarri Armando Prenga?
Shefi i komisariatit: Nga veprimet e kryera deri tani nuk është konfirmuar nëse ka qëlluar apo jo. Provat shkencore do të ekzaminohen në laborator.
Pyetja: A ka pasur informacion për konfliktin mes dy familjeve ? A akuzohet për armëmbajtje pa leje. Ka përdorur armën me leje nga Parlamenti apo një armë tjetër
Shefi i komisariatit: Në lidhje me konfliktin mes dy familjeve në komisariatin e Kurbinit nuk është regjistruar asnjë lloj kallëzimin penal. Sa i takon armëmbajtjes pa leje provat shkencore balistike janë dërguar në laborator. Pasi të kryhen ekzaminimet mund të përcaktohet nëse është arma që dispononte me leje apo armë pa leje.
VIDEO
VIDEOVIDEO: VIDEO:FOTO
Pamje nga vendngjarja
Të plagosur në ngjarje dhe që gjenden në spitalin Ushtarak të Tiranës, janë:
Eduart Prenga, 37 vjeç
Gjok Çali, 53 vjeç
Gjergj Çali 55 vjeç
Françesk Çali, 30 vjeç
Tom Çali, 66 vjeç
Nikoll Çali, 53 vjeç
Gazmir Jushi, 29 vjeç
Lajme të lidhura:
Basha: Rama i rrahu shpatullat ministrit të përlyer, lirimi i Frrokut arritje e mafies
Laguna e Patokut, Ministria e Bujqësisë: PD akuza politike, konkurimi i hapur
PD: Rama i jep lagunën e Patokut deputetit Armando Prenga
Akuzat e PD, reagon Prenga: Mund të shkoj kur të dua në Itali
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





