
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka quajtur fund të shtetit ligjor ngjarjen që ndodhi në orët e para të ditës së sotme në Laç, ku pjesë e përleshjes me thikë dhe armë midis dy grupeve për çështje pronësie, ka qenë edhe deputeti socialist, Armando Prenga.
“Deputeti i Edi Ramës hap zjarr me njerëz dhe policia e Kryeministrit fsheh ngjarjen, dhe nuk jep asnjë informacion për të”, – tha Basha në një deklaratë për mediat nga selia e Partisë Demokratike.
Më tej, lideri demokrat tha se ky është fundi i shtetit ligjor në vend dhe përgjegjës për këtë është kryeministri i vendit.
Duke e cilësuar si një ngjarje të rëndë dhe të pa pranueshme për një vend demokratik, shefi i opozitës tha se kjo ngjarje nuk do të kishte ndodhur nëse Edi Rama nuk do ta kishte zgjedhur Prengën si anëtarë të Parlamentit të Shqipërisë.
“Rama e shpërbleu atë edhe me një tender në lagunën e Patokut”, – tha më tej Basha.
Edi Rama, tha më tej Basha “ e themeloi aleancën me krimin, erdhi në pushtet me krimin dhe tashmë po qeveris me krimin”. /o.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





