Transmetuar më 04-09-2015, 16:16

Tre ditë pas nisjes së operacionit të gjerë në vend për të luftuar informalitetin, kryeministri Edi Rama bën një bilanc paraprak dhe konstaton se rezultatet janë mjaft inkurajuese.

“Jemi tejet të inkurajuar nga tre ditët e para të operacionit kundër informalitetit”, – thotë z.Rama përmes një prononcimi të shkurtër bërë publik përmes rrjetit social Tëitter.

“Ky është një revolucion ekonomik që na çon në rrugën e shtetndërtimit”, – shton ai.

Kryeministri shprehet i bindur se “regjistrimi i plotë i bizneseve, marrja e kuponit nga të gjithë dhe penalitetet e forta për abuzuesit do të fuqizojnë financat publike dhe familjare”. /noa.al/

Financat, ligj të ri për kuponin tatimor

Ministria e Financave përgatiti një projekt-ligj, i cili gjobit bizneset që nuk lëshojnë Kuponin Tatimor.

Kompanitë me xhiro mbi 8 milionë lekë në vit, gjobiten me 10 milionë lekë, ndërsa tatim-paguesit e tjerë, me 500 mijë.

Gjithashtu, bizneseve do t’iu sekuestrohet malli. Kjo vlen vetëm për herën e parë, pasi kur mos-lëshimi i kuponit përsëritet dhe mungojnë kasat e rregullta, tatim-paguesi kallëzohet në Prokurori.

Gjithashtu, drafti i ri i jep të drejta shtesë tatimeve, që të përdorin forcën në mbledhjen e detyrimeve për bizneset.

Vjero: Shifra në rritje te regjistrimet në QKR

Ndërsa aksioni kundër informalitetit sot ka hyrë në ditën e katërt, drejtoresha e QKR-së, Vasilika Vjero dha shifra të përditësuara për regjistrimin e bizneseve.

Sipas Vjeros, në ditët e para të shtatorit janë regjistruar mbi 2 mijë e 500 biznese apo dy herë më shumë se e njëjta periudhë e 2014-ës.

Numri një i QKR-së, apeloi dhe për regjistrimin online. Vjero bëri të ditur se është rritur me 19% prania e kompanive të huaja që veprojnë në vendin tonë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd