Transmetuar më 04-09-2015, 15:44

Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftoi sot se ka dorëzuar në Prokurori kallëzim penal për kryetarin e bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi dhe 10 zyrtarë të kësaj bashkie.

Ata akuzohen se i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 33 milion lekë (rreth 230 mijë Euro).

KLSH tha se kreu auditimin në bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013 deri më 31 dhjetor 2014, ku konstatoi një sërë parregullsish dhe shkeljesh të dispozitave ligjore e nënligjore në fushën e urbanistikës dhe prokurimeve të fondeve publike.

Nisur nga rezultatet e kontrollit, KLSH ka depozituar dy kallëzime penale për Kryetarin e bashkisë dhe 10 drejtues e punonjës të kësaj bashkie, 2 drejtorë, 2 ish-drejtorë, dhe 3 punonjës sektori në akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tenderë. Kallëzimet janë bërë për, F.L, në cilësinë e Drejtorit të Planifikimit të Territorit; dhe E.B. dhe J.M, në cilësinë e ish-Drejtorëve të Planifikimit të Territorit; Th.D, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore; F.K, me detyrë Përgjegjëse e Sektorit të Urbanistikës; A.M dhe E.A, me detyrë Përgjegjës Sektori; D.H, me detyrë Jurist; D.M, me detyrë Inxhinier Mekanik; dhe M.D, me detyrë Specialist, të cilët në

mospërmbushje të detyrës së tyre, kanë konsumuar elementët e veprës penale të

“Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.

Në total, bazuar në shkeljet e konstatuara në këtë auditim, KLSH ka rekomanduar dhënien e masave të ndryshme disiplinore dhe administrative, për 56 punonjës të bashkisë Kavajë, si “Largim nga shërbimi Civil”, “Zgjidhje e Kontratës së Punës”, “Mbajte deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë 6, deri në 12 muaj”, “Vërejtje deri në largim nga shërbimi civil”, “Vërejtje me paralajmërim për largim nga puna”, nga të cilat në 10 raste masat e rekomanduara janë për Drejtues të Nivelit të Lartë dhe në 5 raste për Drejtues të Nivelit të Mesëm/Përgjegjës. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd