Transmetuar më 04-09-2015, 11:17

“Qeveria shqiptare ka programuar kthimin e ish-spitalit ushtarak e Qendrës Universitare të traumës, përsëri në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes”. Kjo deklaratë është bërë nga kreu i departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, prof.dr. Tritan Shehu.

Ish ministri i Shëndetësisë dhe ish zv/kryeministër në qeveritë e djathta, thotë se ky ishte një vendim i gabuar, që sipas tij bie ndesh me zhvillimet pozitive në vite të asaj qendre mjekuese e universitare, me vetë linjat e sistemit tonë spitalor.

“Pa asnjë dyshim ky është një hap mbrapa në këtë drejtim. Është një ndërprerje e një zhvillimi pozitiv prej 1993, në momentin kur ajo Qendër dhe Spital po marrin një formë të kënaqshme. Pikërisht atëherë kur atje do të investohen 5 milionë euro nga Qeveria Italisë, Qeveria jonë kërkon të “groposë” atë çfarë është arritur në një rrugë zhvilluese të gjatë”, vlerëson Shehu.

Sipas tij, një vendim i tillë po përgatitet për arsye që nuk kanë asgjë të përbashkët me sistemin tonë spitalor, cilësinë e mjekimit të të sëmurëve, qofshin civile apo ushtarakë këta, por përkundrazi e kanë dëmtuar këtë.

“Ky kalim në vartësi të Ministrisë se Mbrojtjes veçse do të ketë pasoja negative, për atë institucion e sistemin tonë spitalor. Kjo sepse ajo Ministri nuk i ka kapacitet teknike për një ndërmarrje të tillë. Sepse kështu ky spital largohet nga rruga e autonomisë, së kalimit tek spitali ndërmarrje e nga lidhja me sistemin sigurativ. Dobësohen marrëdhëniet e tij me sistemin universitar, devijohet nga objektivat kombëtare që ka, dëmtohet edhe projekti i “Shërbimit Kombëtar të Urgjencës”.  Ky spital i shërben tërësisht popullsisë civile dhe duke u zhvilluar në këtë mënyrë së bashku me Spitalin “Shefqet Ndroqi”, do të bëjnë të mundur jo vetëm përmirësimin e cilësisë së shërbimit, por dhe mundësinë e ridimensionimit QSUT”, përfundon deklaratën e tij Shehu. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd