
Një përleshje, e cila nisi me pistoletë lodër dhe vazhdoi me përdorimin e thikës mes dy grupe adoleshentësh është shënuar natën duke gdhirë dita e djeshme në kryeqytet.
Dionis Hoxha, 19 vjeç dhe A.K. 17 vjeç, të dy banues në Tiranë, për motive banale kanë kanosur fillimisht me një pistoletë lodër dhe plagosur me thikë në rrugën “Qemal Stafa” tre moshatarët e tyre, L.M, R.SH dhe R.SH., edhe këta, që të tre banues në kryeqytet.
Dy 17-vjeçarët dhe adoleshenti tjetër një vit më i madh, i janë drejtuar spitalit për mjekim.
Sipas Policisë së Shtetit pasi kanë marrë ndihmën mjekësore tre të rinjtë janë larguar për në banesat e tyre jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, policia tha sot se bëri të mundur arrestimin e Dionis Hoxha dhe shokun e tij A.K., të akuzuar për kanosie dhe plagosje me thikë në bashkëpunim.
Tre akuzat që rëndojnë ndaj të rinjve
Kanosja
Kanosja serioze për vrasje ose për plagosje të rëndë që i bëhet një personi, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Plagosja e lehtë me dashje
Plagosja e kryer me dashje, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se 9 ditë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta
Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta pa leje të organeve kompetente, si
shpatat, bajonetat, thikat dhe mjete të tjera të përgatitura e të destinuara posaçërisht për sulm kundër personave ose për vetëmbrojtje, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





