Transmetuar më 02-09-2015, 10:17

Kryeministri Edi Rama, së bashku me drejtoreshën e përgjithshme të Tatimeve, Brisida Shehaj dhe drejtorin e komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga, e nisën ditën duke konsumuar një kafe në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet.

Ishte një kafe në pak minuta e pirë prej shefit të qeverisë shqiptare për të sensibilizuar qytetarët në kuadër të operacionit kundra informalitetit.

Pasi ka paguar dhe marrë kuponin tatimor, Rama shpjegon rëndësinë e tërheqjes së tij duke e ilustruar me shifra.

Mësohet se ditët në vijim do të jenë sensibilizuese për qytetarët dhe vetë bizneset në luftën kundër informalitetit. Shefi i qeverisë shqiptare e ka cilësuar si “operacioni më i rëndësishëm i mandatit të kësaj qeverie”, duke u vënë vetë në krye të tij.

Rama flet me mediat

Pas kafes në ish Bllok, z.Rama foli me gazetarët. Ai iu përgjigj pyetjes nëse mori kupon tatimor në lokalin ku gjendej dhe e pohoi këtë, duke shtuar:  “Dua shumë thjesht të shpjegoj që e gjithë përpjekja për ta përshkruar këtë operacion historik si një operacion kundër të vegjëlve është një përpjekje sa injorante, aq edhe hileqar, ose të dyja bashkë. Sepse, në fakt, duke marrë kuponin tatimor ne mbyllim shtegun për evazionin e të mëdhenjve. Faktikisht, nëse në Shqipëri sot, po marrim një mesatare shumë të thjeshtë, pihen 1 milionë kafe dhe shishe uji në ditë dhe marrim një çmim shumë mesatar, me ulje, një mijë lekë (të vjetra), e dini sesa është shuma që shkon në drejtim të paditur në vend se të shkojë në arkën e shtetit, për t’ju kthyer individit si qytetar në formën e investimeve dhe të shërbimeve? Është 61 milionë dollarë vetëm nga kjo. Ku shkojnë këto 61 milionë dollarë? Këto shkojnë në drejtim të paditur dhe janë evazioni i madh, nuk janë thjesht e vetëm evazioni i vogël i kafes”.

“Nga ana tjetër, – shtoi z.Rama, – edhe vetë të vegjlit kanë një interes në këtë rast që ta japin kuponin, sepse ulin barrën në të cilën përfshihen praktikisht bashkë me qytetarin për shkak të të mëdhenjve”.

“Mirëpo duke ardhur tek pika fundore, ne praktikisht bllokojmë prurjet që vijnë nga burimet e mëdha të evazionit që janë kompanitë e mëdha, që janë furnizuesit e mëdhenj, që janë ata që tregtojnë me shumicë mallrat e vlerës, apo mallrat e konsumit të përgjithshëm. Është shumë e thjeshtë dhe për këtë arsye marrja e kuponit tatimor është sot një detyrim patriotik për të dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë, që financat tona publike të fuqizohen ashtu siç nuk e imagjinojmë dot sot dhe pastaj ne të keni mundësi që të bëjmë shumë më tepër investime, për shkolla, kopshte, çerdhe, infrastrukturë dhe për rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe mbi të gjitha kemi mundësi të ulim taksat dhe të rrisim rrogat për të gjithë”, – tha z.Rama.

Për faktin se ka radhë të gjata në zyrat e QKR në të gjithë Shqipërinë, Rama iu përgjigj edhe pyetjes nëse do të ishte më mirë të shtyhej afati i orarit të punës për t’i shërbyer biznesit: “QKR shërben me orë të zgjatura, por do të kishte qenë më mirë që të regjistroheshin kohë më parë. Sepse, nëse këtu kemi një lokal që shërben me kupon tatimor, familja që ka investuar për të ndërtuar këtë biznes të vogël bashkë me ata që janë të punësuar në këtë biznes të vogël, e në mos qoftë biznes i vogël edhe biznes i madh, nuk i ka borxh askujt që ngjitur me të, të jetë dikush tjetër që bën garipin dhe përfiton duke shtrembëruar konkurrencën dhe duke bërë të pamundur që ata që kanë lokalin këtu të përfitojnë nga ulje taksash dhe të rrisin rrogat dhe të rrisin punësimin e tyre”. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd