Transmetuar më 01-09-2015, 22:48

Forcat policore që nisën një aksion të ri antidrogë në Shkodër, kanë zbuluar sot një arsenal armësh, që dyshohet se kanë bërë qitje në ngjarjen e vitit të kaluar ku u hap zjarr ndaj policisë.

Armët u zbuluan në një shpellë të përshtatur për të qëndruar. Ato ishin të fshehura brenda shpellës në një mur të ndërtuar me gur.

Policia tha se sekuestroi një pushkë, 4 granata, 1 kallëp tritoli 500 gramë, 7 karikatorë me fishekë, rreth 700 fishekë si dhe pjesë të ndryshme të armëve të tjera.

“Armët u gjetën afër vendit ku është qëlluar me armë helikopteri i Policisë vitin e kaluar gjatë operacionit antikanabis”, – konfirmoi policia lokale.

Ajo tha se armët dhe municionet do të dërgohen për ekzaminim të mëtejshëm në laboratorin kriminalistik.

Operacioni gjatë ditës së sotme ka vijuar në territorin e fshatrave Plan, Gjurë, Kujë dhe Temal.

Forcat e Policisë kanë operuar në një terren mjaft të vështirë, të pyllëzuar dhe shumë të thepisur.

Gjithsej janë zbuluar dhe shkatërruar 173 parcela të kultivuara me bimë narkotike. Janë asgjësuar me djegie 32.676 bimë.

Policia tha se operacioni masiv do të vijojë përsëri nesër. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd