
Opozita ka shënjestruar edhe një herë sot biznesmenin Koço Kokëdhima duke e akuzuar si përfitues të pasurive shtetërore nëpërmjet kryeministrit.
Edi Paloka, kryetar i grupit Parlamentar demokrat, në një dalje të posaçme për mediat, tha se Edi Rama po e zyrtarizon Kokëdhimën si “Beun e Jugut, modelin e hashashit, rrëmbimit të pronave e shkeljes së ligjit”.
Sipas Palokës, Edi Rama e pranoi zyrtarisht dhe publikisht se Beu i Jugut është Koço Kokëdhima.
“De facto, Kokëdhima ka qene deri më sot kryeministri i të gjithë aksit Lushnje-Fier-Vlorë-Sarandë. Ai vendos për gjithçka, për çdo tender, privatizim, e punësim. Por dje ai eshte shpallur edhe “de jure” nga Edi Rama si padron i Jugut”.
Sipas Palokës, dje nën justifikimin e një organizimi të ri të PS, Koço Kokëdhimës i është shtuar nën zotërim edhe qarku i Gjirokastrës.
“Me këtë akt, Edi Rama pranoi se modeli i tij për rajonin e Jugut është Koço Kokëdhima, pra është; përvetësimi i pasurisë publike, i bregdetit, zhvatja e pronave, ndërtimi i paligjshëm i kështjellave buzë Jonit, mbjellja e hashashit, kapja dhe trafikimi i çdo vendi pune, afrimi në stafin e ngushtë të pedofilëve që këmbejnë vende pune me favore seksuale, promovimi i personave me precedentë të tmerrshëm kriminalë si kryetari i Qarkut Vlorë, si dhe shkelja e Kushtetutës në të paktën 150 raste të përfitimit të fondeve publike duke qenë deputet”, – tha z.Paloka.
Për opozitën, në të vërtetë Koço Kokëdhima nuk përfaqëson asnjë qytetar dhe asnjë socialist të ndershëm të jugut dhe të gjithë Shqipërisë.
“Ai është përfaqësues i oligarkisë që ka kapur pushtetin dhe e ushtron atë çdo ditë e çdo orë për interesat e veta financiare”, – tha Paloka.
Sipas tij, “modeli i Ramës për Jugun është modeli i ideatorit të legalizimit të drogës dhe rrëmbimit të çdo prone”.
Opozita tërheq vëmendjen se janë me dhjetëra, ankesat e denoncimet e përditshme të qytetarëve për Koço Kokëdhimën dhe shton: “Janë me mijëra ankesat e denoncimet të vetë socialistëve të tradhtuar nga deputeti i tyre dhe nga mënyra se si e ushtron ai pushtetin. E megjithatë, Edi Rama e shpalli me ceremoni dhe e kurorëzoi Koçon si beun e Jugut duke e legjitimuar pushtetin e tij të paligjshëm, duke sjellë në krye modelin më të keq të abuzimit e përfitimit me pushtetin”.
Në daljen për mediat, z.Paloka paralajmëroi se “Partia Demokratike, qytetarët e Jugut dhe të gjithë vendit do të dinë ta refuzojnë shtypjen e poshtërimin që u bën çdo ditë Edi Rama si kryeministër i vendit”. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





