Transmetuar më 28-08-2015, 13:50

Tiranë, 28 gusht 2015, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basham shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të akademikut kosovar, Mark Krasniqi.

“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të akademik Mark Krasniqi.

Jam i bindur se hidhërimi sot është mbarëkombëtar, sikundër ishte mbarëkombëtar respekti dhe vlerësimi për akademik Mark Krasniqin”, shkruan Basha në mesazhin ngushëllues.

Ai shton më tej se me largimin e tij nga kjo jetë, familja humbi njeriun e dashur, shqiptarët humbën një patriot të madh, intelektual të dimensioneve globale, një politikan të urtë e të mençur dhe plot vizion.

“Lutem që Zoti t’i japë paqen e përjetshme Mark Krasniqit, dhe familjes e miqve të tij forcën të mbajë peshën e dhimbjes”, thotë në mbyllje në mesazhin e tij kryedemokrati.

Akademik Mark Krasniqi ndërroi jetë në moshën 95 vjeçare pak pas mesnate rreth orës 00:35 në Qendrën Intensive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Mark Krasniqi u lind në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon) afër Pejës më 19 tetor 1920. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse më 1941 gjimnazin në Prizren. Prej vitit 1941-1943 ka studiuar letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), e prej 1946-l950 ka studiuar gjeografinë e etnografinë në Universitetin e Beogradit. Më 1945-1946 ka qenë gazetar-redaktor i gazetës Rilindja në Prizren, bashkë me Esad Mekulin e Omer Çerkezin, kurse prej vitit 1947-l949 ka punuar në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe) gazetar-redaktor.

Prej 1950-1961 ka punuar në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd si asistent, pastaj bashkë-punëtor shkencor. Ështe diplomuar më 1950 në Beograd, kurse më 1960 ka marrë doktoraturën në Universitetin e Lubjanës në Slloveni. Prej 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ka qenë disa herë dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik. Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (që nga viti 1993). Ka botuar më se 35 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezishë nga serbo-kroatishtja, sllovenishtja e maqedonishtja në gjuhën shqipe./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd