Transmetuar më 27-08-2015, 16:33

Greqi, 27 gusht 2015, NOA.al- Pas dorëheqjes së kryeministrit Aleksis Tsipras, Greqia ka zgjedhur kryeministrin e re. Ajo është Vasiliki Thanou kryetarja e Gjykatës së Lartë e cila do të betohet si kryeministrja e parë grua në Greqi.  Zgjedhja e saj erdhi, pasi partitë politike nuk arritën të krijonin një qeveri të përkohshme deri në zgjedhje. Kushtetuta greke parashikon që në një rast të tillë, qeverinë e përkohshme ta drejtojë kreu i Gjykatës së Lartë, që do të përgatisë vendin për zgjedhjet, e në këtë rast do të jetë Vasiliki Thanou, e cila mandatohet për të krijuar qeveri të përkohshme.

Sot dorëzoi mandatin e krijimit të qeverisë Panajotis Lafazanis, kundërshtari i Aleksis Tsipras, kreu i partisë së re “Bashkimi Kombëtar”, që doli nga SYRIZA, i cili nuk e krijoi dot qeverinë.

Mediat greke shkruajnë se presidenti Pavlopulos do ta ketë të vështirë të thërrasë Këshillin e liderëve politikë për shkak të kundërshtive mes tyre dhe në këtë atmosferë do të dekretojë si kryeministre zonjën Vasiliki Thanu, e cila pritet që në mbrëmje të bëjë edhe betimin.

Një ditë më vonë bëhet betimi i qeverisë së përkohshme, shpallet dekreti presidencial për shpërndarjen e Parlamentit dhe data e zgjedhjeve të parakohshme, 20 shtator 2015. /e.gj/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd