
Ministritë e Brendshme të Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë kanë bërë thirrje sot për masa urgjente për të përballuar sfidën e mijëra emigrantëve që po vërshojnë në Evropë. Një situatë kjo, që ka krijuar përçarje mes vendeve evropiane ndërsa ata po debatojnë për mënyrat e përballimit të kësaj krize.
Ministrat Theresa May e Anglisë, Bernard Cazeneuve i Francës dhe Thomas de Maiziere i Gjermanisë nxorën një deklaratë të përbashkët ku i kërkojnë Luksemburgut që mban kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, që të organizojë një takim brenda dy javësh.
Luksemburgu u përgjigj pozitivisht dhe njoftoi se do të mbajë bisedime me ministrat e Brendshëm dhe Drejtësisë të vendeve të BE-së, më 14 shtator në Bruksel në mënyrë që të “konsolidohet përgjigjja evropiane”.
Duke e konsideruar gjendjen si “të jashtëzakonshme”, ministrat bënë thirrje për një proces më të organizuar të regjistrimit të emigrantëve në Itali dhe Greqi. Organizata Ndërkombëtare e Migrimit thotë se janë pikat kryesore hyrëse për mbi 322 mijë emigrantët që kanë përshkuar Mesdheun këtë vit.
Një sistem i tillë do t’i identifikonte qartë ata që kanë nevojë për mbrojtje për shkak të gjendjes në vendin e tyre si dhe do të përcaktonte një listë vendesh “të sigurta” për të mbrojtur refugjatët dhe për të garantuar kthimin e sigurt të atyre që u mohohet azili.
Shumica e atyre që shkojnë në Evropë vijnë nga pjesë të botës të prekura nga vite të tëra lufte dhe paqëndrueshmërie politike. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit, pjesa më e madhe e atyre që mbërrijnë në Greqi dhe Itali, kanë ardhur nga Siria, Afganistani, Eritrea dhe Nigeria.
Disa udhëheqës evropianë kanë bërë thirrje për një qëndrim më mikpritës, por të tjerë nuk e kanë mirëpritur fluksin e emigrantëve.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban thotë se Budapesti do të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj emigrantëve sepse sipas tij, ata paraqesin kërcënim ndaj sigurisë, mirëqenies dhe identitetit evropian.
Hungaria po ndërton një gardh katër metra të lartë në kufirin jugor me Serbinë. Hungaria gjithashtu kërkon që emigrantëve t’u merren shenjat e gishtërinjve para se të hyjnë në kampet e përkohëshme, një kërkesë kjo që ka shkaktuar reagime.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





