Transmetuar më 31-08-2015, 14:47

Tiranë, 31 gusht 2015, NOA.al – Prokuroria dhe policia janë duke hetuar për veprimtarinë e dyshuar kriminale të 33-vjeçarit elbasanas Alban Mero, i cili u arrestua një ditë më parë në banesën e tij në Fushë-Mëzes (Tiranë), ku u sekuestrua një arsenal armësh, drogë si dhe mjete të tjera si dylbi e maska që hedhin dyshime mbi të kaluarën e tij.

Burime nga organi i akuzës kanë bërë me dije, se arrestimi i Meros ka qenë krejt i rastësishëm pas dyshimeve të një femre, se ai mund të ishte autori i grabitjes që i kishte ndodhur asaj në banesë.

Nga ana e shërbimeve të policisë është shkuar në banesën e denoncueses. Atje u konstatua se persona të paidentifikuar kishin thyer derën e dhomës së gjumit të shtetases me iniciale L.B. dhe kishin vjedhur sasinë prej 200 mijë lekësh të vjetra.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ekspertët nuk mundën të gjenin gjurmë papilare të autorëve, por u morën disa objekte, ku dyshohet se mund të ketë gjurmë të vlefshme për identifikim.

Nga deklarimet e bëra, kallëzuesja kishte pohuar se dyshonte tek disa persona, banorë të zonës, ndër të cilët edhe 33-vjeçari Alban Mero. Menjëherë pas identifikimit është ushtruar kontroll në banesën e tij ku në oborr ishte konstatuar një depo e mbushur me arsenal tipik të një grabitësi.

Në objekt u sekuestrua arsenali i armëve, droga si dhe sendet e tjera si dylbi, maska, targa, fenelina të policisë me dy llamba, me një dylbi armë, si dhe një qese me pulla fiskale me mbishkrimin ministria e Financave.

Policia bëri arrestimin në flagrancë 33-vjeçari, i cili ka deklaruar se lëndën narkotike, armët luftarake, armët sportive si dhe municionet që janë gjetur dhe sekuestruar nga shërbimet e policisë në banese janë të tijat.

Ai tha se armët luftarake dhe municionet kanë mbetur në banesën e tij që nga viti 1997, ndërsa lëndën narkotike cannabis sativa e ka blerë para tre vitesh për qëllime mjekësore, konkretisht për të kuruar babanë e tij të sëmurë.

Ai e ka mohuar që të ketë kryer vjedhjen e banesës së shtetases L.B. Ndërkohë nga kontrolli personal i janë gjetur një sasi prej 61.000 lekë të reja, për të cila tha se kishte kursyer prej disa kohësh.

Sipas prokurorisë nga deklarimi i të arrestuarit, ka disa mospërputhje, gjë e cila krijon dyshime të bazuara se Mero është autor i mundshëm i vjedhjes së banesës së shtetases L.B. /k.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd